Përjetimi i fajit të gruas në shoqërinë mashkullore


load
Gazeta Express
18 Maj 2019 10:16

U shtangëm, u tronditëm, na u prish gjaku pse Flora Brovina bëri një gabim. U shkruan mijëra statuse, u shkruan shumë artikuj, u kërkua dorëheqje dhe ndjekje penale. U alarmua krejt shoqëria! Cila shoqëri? Ajo e cila ka në krye një Qeveri me 100 ministra e zëvendës dhe që pret dikush t’ua zgjidhë të gjitha telashet, madje edhe t’ ua largojë njerëzit e korruptuar në Qeveri e në presidencë.

Shkruan: Lis Bukuroca

Ajo shoqëri, që duron shkolla, që nuk janë shkolla, fakultete, që nuk janë fakultete, spitalet, që nuk janë spitale, akademi, që nuk është akademi dhe administratë, që nuk është administratë. Ajo shoqëri, që nuk u tmerrua, kur ministri thotë se Loredana po dëmton imazhin e Kosovës me vjedhjen në Zvicër, por ku vidhet Kosova me më shumë se 40.000 veteranë të rrejshëm dhe me dhjetëra zëvendësministra të rrejshëm, qenka imazh pozitiv!

Shpërthimi ndaj gabimit të saj, ishte katërçipërisht agresion i shoqërive mashkullore, sepse ata presin që gruaja të jetë e matur, të jetë e përkryer dhe të mos gabojë kurrë. Në shoqëri të tilla burrave u falen edhe vrasjet, edhe vjedhjet, edhe “korrigjimet e bashkëshortësive”, por kur një shkarje bën një grua, atëherë përkapet si tragjedi nacionale.

Sikur nga ushtria dhe paramilitarët serb t’ ishte dhunuar vetëm një grua, atëherë mund të pranohej pohimi se u rrënua besueshmëria dhe mundësia për të risjellë,  rigjetur provat apo për të ridëshmuar, do t’ ishte tepër e vështirë.

Në Kosovë dhunimet kanë qenë pjesë e strategjisë politike serbe. Ajo synonte shkatërrimin  e dinjitetit, moralit dhe poshtërimin tërësor të shqiptarëve, por meqenëse sillemi, veprojmë dhe jetojmë si shoqëri tipike fisnore, dhunimet u munduam t’i fshehim ne, i heshtëm ne, i shpërfillëm ne.

Dyfytyrësia në shoqëri tribale është sa cinike, aq edhe vetëdëmtuese. Në ato shoqëri gruaja nuk mund të llogarisë në mbështetje të burrave, që nuk kanë qenë në gjendje të mbrojnë gratë, por e urdhërojnë heshtjen, sepse ata, shfaqjen e gruas në gjykatë, do ta interpretonin si humbje nderi.  Ata nuk mund, ose nuk duan të kuptojnë se humbin nderin e gruas, duke ndihmuar në mosdënimin e kriminelëve serb! Kur të kemi parasysh konceptet e nderit, që kultivon shoqëria e jomoderne, vështirë se do të ngrenë akuzë penale më shumë se 1.000, pra diku vetëm pesë për qind! Burrat nuk do të lejojnë dhe do të japin kontributin e tyre për të shfajësuar shtetin serb!

Flora Brovina është një intelektuale, poete dhe veprimtare, që i ka kushtuar jetën këtij populli. Kontributi saj është shumë i madh, por në shoqërinë fisnore, gruas nuk i lejohen dy gabime. Mjafton një për ta gozhduar, për ta përjashtuar dhe për ta deklaruar të papërshtatshme në të gjitha rolet e jetës.

Tani e tutje ajo, për një numër bukur të madh të grave dhe burrave mizogjinë,  nuk do të jetë ajo që ishte, por krejt veprimtaria e saj, do të stigmatizohet dhe lidhet tutje për gabimin, që e pranoi, por jo për kontributin e saj. Shoqëritë fisnore kanë këtë aftësi djallëzore për të rrënuar dhe zhbërë çdo gjë pozitive te një grua, vetëm duke pasur parasysh një lajthitje. Ato shoqëri presin nga gruaja pikërisht atë, që ata e dëshirojnë për vete, por nuk e kanë, nuk e arrijnë kurrë. Ata presin përsosmëri nga gruaja, por jo nga vetja. Burri rehabilitohet edhe nëse ka përdhunuar një grua, por gruaja e pafuqishme, e pambrojtur, nëse është viktimë e dhunës seksuale, fajet do t’i hidhen asaj!

Kush është Flora Brovina? “Gjatë Luftës në Kosovë ishte gruaja më e përmendur shqiptare në Shtetet e Bashkuara. “The New York Times” më 10 dhjetor të vitit 1999 shkruante: ”Serbët dërguan në burg për terrorizëm poeten e Kosovës Flora Brovinën. Gjyqi i Serbisë dënoi me 12 vjet burgim poeten e njohur dhe aktivisten e përmendur për të drejtat e grave nën akuzë për terrorizëm gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Zonja Brovina, pediatre, drejtoi Lidhjen e Grave Shqiptare të Kosovës dhe një klinikë për fëmijë dhe gra.

Ajo ishte arrestuar gjatë muajit prill në Prishtinë, në kulmin e sulmeve të NATO-s dhe, qysh atëherë, mbahet në burg. Flora Brovina akuzohet për ndihmën që u kishte dhënë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po luftojnë kundër forcave serbe. Kjo është njëra prej personaliteteve më të njohura shqiptare në burg. Në Gjyqin e Serbisë Flora Brovina kishte thënë: ”Si humaniste dhe poete u bashkova me forcat përparimtare për emancipimin e gruas shqiptare në Kosovë. Tërë jetën ua kam kushtuar fëmijëve, të cilët nuk dinë asgjë për identitetin e tyre kombëtar për të cilin mësojnë më vonë nga prindërit e tyre. Më vjen keq që jam në burg dhe nuk mund ta ndihmoj popullin tim të zhvendosur që të kthehet në shtëpi.” Wikiepdia.

Kjo ishte dhe është Flora Brovina. Ajo nuk ka ikur nga Kosova si një numër bukur i madh i burrave, madje edhe veprimtarë me nam. Ajo nuk mund të reduktohet në dy minuta, sepse ajo i ka dhënë Kosovës qindra herë më shumë, se sa disa qortues dhe sharës. Në fund edhe një: është për të përshëndetur që gazezaexpress zbuloi gabimin, para se të ngeleshim të turpëruar nga një përgënjeshtrim serb! Ajo ngjarje fatkeqe mund të përmbyllet më së miri me mendimin e Jezu Krishtit: “Kush nga ju është pa mëkat, le të hedhë gurin i pari!” 

Te fundit


Kthehu lart