Përfunduan negociatat për PSP-në, Katica u largua, do të formohet organ i ri


Gazeta Express
19 Korrik 2019 15:57

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot e shpalli të përfunduar procesin e negociatave me opozitën për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që paralajmëroi se tekstin e ligjit të ri për prokurori publike, me të cilin përcaktohet fati i Prokurorisë Speciale Publike do ta dorëzojë javën e ardhshme në Kuvend dhe atje do të zhvillohet dialogu nga të gjitha partitë dhe grupet parlamentare, transmeton.

Zaevi deklaroi se, shkaku se sot u përfunduan negociatat për PSP-në dhe po publikohet varianti përfundimtar i Ligjit për Prokurori Publike, është sepse siç tha ai, nuk është gjetur dialog i sinqertë dhe i matur me partinë opozitare VMRO-DPMNE-në.

“Në këtë periudhën që kaloi, nuk gjetëm dialog të sinqertë dhe të matur nga ana e VMRO-DPMNE-së. Jemi përballur me shtyrje të panumërta, me kërkesa të pamatura, të gjitha të lidhura me thelbin e Ligjit për Prokurori Publike, me personalizim të tërë procesit dhe me kërkesa maksimale të cilat i shkatërrojnë principet e sundimit të shtetit të së drejtës dhe interesit shtetëror. Tash shtroj çështjen se nëse VMRO-DPMNE-ja është e sinqertë në qëllimin që të marrin pjesë në këtë proces? Nëse VMRO-DPMNE-ja sinqerisht thirret për ardhmëri evropiane të Maqedonisë së Veriut, për sundim të së drejtës dhe për pastrim të krimit, apo bëjnë gjithçka për mbrojtje dhe fshehje të krimit?”, tha Zaevi.

PSP-ja do të kalojë në PTHP dhe shefe do të jetë Villma Ruskovska – shefja aktuale e PTHP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan mes tjerash Portalb.mk.

Siç deklaroi kryeministri Zaev, me Ligjin për Prokurori Publike, Prokuroria Speciale Publike (PSP) do të kalojë në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do riemërohet në Prokurori Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë, transmeton GazetaExpress.

Propozim-ligji parasheh:

  • PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit,
  • Do të marrë emrin Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
  • Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së,
  • Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska,
  • Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje,
  • Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve,
  • Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesuojë para gjykatave kompetente,
  • Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura,
  • Lartësia e mjeteve për funksionim të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë të caktohet me propozim-buxhet dhe plan financiar të shefit të kësaj Prokurorie, të cilat dorëzohen te prokurori publik dhe te Ministria e Financave për aprovim. Qeveria dhe Kuvendi nuk mund ta ndryshojnë planin financiar dhe buxhetin e kësaj prokurorie.
  • Parashihet mbrojtje e personalitetit të prokurorëve të kësaj prokurorie dhe nuk mund të kryejnë funksion prokurorial në ndonjë institucion tjetër.
  • Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve.
  • Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik dhe
  • Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.

Zaevi premtoi se me këtë Ligj do të sigurojë se nuk do të ketë ndikim politik në prokurori.

“Në këtë mënyrë do të sigurojmë që struktura e deritashme dhe resurset e PSP-së në formë të re dhe në asnjë formë që politikanët të vendosin për përbërjen dhe udhëheqësinë e saj”, tha Zaev, dhe shtoi se “më nuk do të ketë më lëndë që do të ruhet në sirtarë”.

Zaevi: Katica u largua, pres deputetët ta votojnë Ligjin

Se si do të sigurohen 2/3 e votave për miratim të Ligjit për Prokurori Publike, me të cilin parashihet edhe përcaktimi i fatit të PSP-së dhe lëndëve që dalin nga “bombat”, kur e dimë se në to të dyshuar ka deputetë të Kuvendit, Zaevi tha: “Unë pres që të sigurojë shumicë. Kam shkaqe të mia pse besoj. Do të thotë se ska më Katica Janeva, ajo u largua, andaj pres që të ketë mbështetje Ligji”/GazetaExpress.

Te fundit


Kthehu lart