Përfundon takimi për reformën zgjedhore, palët përplasen për votimin elektronik dhe policinë - Gazeta Express
string(91) "perfundon-takimi-per-reformen-zgjedhore-palet-perplasen-per-votimin-elektronik-dhe-policine"

Gazeta Express

28/05/2020 21:24

Përfundon takimi për reformën zgjedhore, palët përplasen për votimin elektronik dhe policinë

Gazeta Express

28/05/2020 21:24

Ka përfunduar pas më shumë se tre orësh mbledhja e Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore, e cila ka afat përfundimtar 31 majin. Duket se palët janë përplasur në lidhje me propozimin e opozitës për votim elektronik dhe identifikimin biometrik. Socialisti Gjiknuri u shpreh se maxhoranca s’mund të plotësojë të gjithë listën e dëshirave të opozitës.

Një pikë që nuk ka marrë dakortësinë e mazhorancës, gjithashtu ka qenë propozimi i PD që Ministri i Brendshëm që do të vijë nga qeveria tranzitore duhet të emërojë drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit.

Lexo Edhe:

Në dalje të takimit, demokrati Oerd Bylykbashi deklaroi se maxhoranca nuk ishte dakord me identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe votimin elektronik.

U diskutua një  çështje më të rëndësishme për fat të keq sot doli qartë se mazhoranca nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim të fusë biometrik ne qendrat e votimit të mos ketë votim familjar në emër te emigrantëve që s’kanë ardhur kurrë në Shqipëri dhe që komisionarët të mos mbushin kutitë me vota të rreme. Nesër në orën 11:00do të mblidhet sërish Këshilli Politik dhe shpresojmë që mazhoranca të vij me propozime konkrete të identifikimit biometrik dhe të ketë një sistem pilot për votimin dhe numërimin elektronik dhe kjo të dal si një detyrim për KQZ dhe qeverinë që të mos manipulohen zgjedhjet. Po nuk u bënë këto të dyja nuk kemi garanci që nuk do të ketë vota të falsifikuara në zgjedhje. Identifikimi biometrik është thelbësisht i lidhur me marrëveshjen e administratën zgjedhore ku zgjedhësi voton, vota  e tij numërohet dhe nuk ka manipulime. SPAK duhet të jetë institucioni i vetëm që heton korrupsionin zgjedhor, sigurisht që nuk patëm dakordësi për propozimin e  policisë. Identifikimi biometrik dhe sistemi pilot i votimit duhet të jenë të shkruara me garanci në kodin zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë me orë të tëra për të përmbyllur reformën, por pa këto dy çështje nuk ka garanci”, tha Bylykbashi.

Një tjetër pikë ku palët ndahen ende është ajo e një ministri teknik 100 ditë para zgjedhjeve, propozim i opozitës që nuk është pranuar nga maxhoranca e socialistëve.

Përfaqësuesi i socialistëve Damian Gjiknuri u shpreh në emër të qeverisë se debati për zgjedhjet elektronike e identifikimin biometrik është një debat artificial.

Gjiknuri: Sot u diskutua le të themi paketa ndaj krimeve zgjedhore. Kemi një debat akoma në lidhje me përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, që më duket artificial. Sot po bëjmë dispozita të kodit zgjedhor. Problemi është sa mund të shtrihet kjo, por konsulta e ODIHR thotë se kjo duhet shtrirë me plan afatgjatë. T’i lihet KQZ-së dhe qeverisë që të bëjnë një plan, por këtu çështja është a mund ta implementojmë në vend. Jemi darkord të përfshihet, por asnjëherë zgjedhjet nuk mund të vihen në dyshim sepse nuk punon teknologjia. Garancia për integritet në votime ka shumë procese, psh hapja e kutive e leximi i tyre, monitorimi i qendrave me kamera e shumë të tjera. Ne kërkojmë të kemi një plan implementimi, që mund të jetë ose jo në të gjithë vendin, sepse nuk e dimë. Opinioni i ODIHR ka ardhur dhe thotë se vendi, qeveria, autoritetet zgjedhore, duhet të bëjnë kujdes me teknologjinë, dhe se ajo duhet shtrirë shkallë shkallë.

Përfaqësuesi i LSI-së hodhi akuza në drejtim të qeverisë.

 “Ju e patë vetë në deklaratë. Gjiknuri tha se nuk mund të bëjnë ndryshime në polici. Kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore, nuk i sjellin asnjë përfitim opozitës. Nuk është e lehtë të ketë marrëveshje ku në dialog ke ata që kanë vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet. Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga vesi”- tha Vasili.

Ndërkohë, Rudina Hajdari tha se ka kërkuar që në takimin e radhës të diskutohet sistemi danez, i propozuar nga ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.

Nuk pati diçka konkrete pasi nuk bie dakord për numërimin biometrik dhe teknologjia e numërimit është i rëndësishëm. Mendojmë që neser do të nisim sërish me këtë pikë. Bëra një kërkesë ndaj ekspertëve dhe ODIHR që të bëjnë një pasqyrim të sistemit danez dhe patëm një konsensus për këtë. Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave duhet të jetë çështja kryesore e reformës pasi të tjerat do të jenë arnime të vogla“, tha Hajdari

Per çfarë u ra dakord sot:

Palët kanë rënë dakord që të ketë efektivë të policisë jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi, të cilat duhet të pajisen me kamera.

Lidhur me prokurorinë, palët kanë rënë dakord që SPAK të hetojë krimet zgjedhore, kurse prokuroritë në rrethe duhet të ngrejnë grupe të posaçme për të hetuar shitblerjen e votës. Nga ana tjetër palët politike kanë rënë dakord që çdo person që denoncon shit-blerjen e votës të aministohet.