Përfundon protesta 1 orëshe e opozitës, çfarë ndodhi dhe kush ishte paralajmërimi i Bashës


Gazeta Express
25 Prill 2019 19:25

Simbolikisht protestën 1 orëshe të opozitës e ka mbyllur këtë të enjte fjalimi i Lulzim Bashës si dhe paralajmërimet e tij drejtuar Ramës se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, por po ashtu se bllokimi i 5 akseve kryesore në vend nga opozita, është vetëm sinjali i parë i mosbindjes civile.

Në tërësi protesta e zhvilluar në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan e tek rruga e Kombit ku ndodhej Basha nuk ka regjistruar incidente dhe ka qenë paqësore. Dy raste të djegies së disa gomave dhe ndezjes së flakadanëve janë regjistruar në aksin e Bradasheshit të Elbasan dhe në rrethrrotullimin e plepave në Durrës, ku protestuesit ndezën flakadanët. Në vendet e tjera nuk ka patur incidente, përjashto rastin që ndodhi në Tiranë, atje ku disa protestues u konfliktuan për pak çaste me një qytetar i cili tentoi që të çajë përpara me makinën e tij rrugën e bllokuar nga qytetarët.

Protesta e kësaj të enjte ishte ndryshe nga të shkuarat që ka përcjellë opozita, e cila deri dje ka protestuar përballë kryeministrisë dhe parlamentit në Tiranë. Basha e paralajmëroi po ashtu si edhe Monika Kryemadhi se protestat do të përshkallëzohen njëlloj si mosbindja civile.

Ndërkohë po këtë të enjte, partitë e vogla opozitare, aleate të Bashës, deklaruan pas takimit me ambasadorin e BE-së në Tiranë, se kanë propozuar nisjen e një tryeze dialogu mes maxhorancës dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Presidentit Ilir Meta.

Më poshtë disa nga pamjet e protestës së sotme të opozitës në Tiranë, pranë sheshit “shqiponja” në hyrje të kryeqytetit./Express

Te fundit


Kthehu lart