Përfundimisht Haradinaj në orën 15:00 niset drejt Hagës


Gazeta Express
23 Korrik 2019 14:50

Në orën 15:00 është paraparë që kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, të udhëtojë për në Vjenë e nga aty në Hagë për t’u intervistuar si i dyshuar në Gjykatën Speciale.

Haradinaj ishte paraparë të udhëtojë në orën 12:30, mirëpo fluturimi i tij u shty për disa orë. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media të lëshuar nga Qeveria, raporton Gazeta Express.

“Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve “Austrian Airlines”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pak minuta më parë kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Fluturimi i tij për në Vjenë ishte paraparë të ndodhte në orën 12:30.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje dhe njoftimin e ka bërë publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës të premten.

Arsyeja e dorëheqjes, siç ka thënë Haradinaj, është sepse ka pranuar një ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj, në konferencën e tij pas dorëheqjes, theksoi se nuk mund të lejojë që të intervistohej nga Dhomat e Posaçme dhe të paraqitet si kryeministër dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt i ka dhënë fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Koalicioni PAN në zgjedhje e vitit 2017, kishte garuar me një grupim prej rreth 20 partive politike. Por, prej tyre, ulëse në Kuvend siguruan vetëm PDK, AAK dhe Nisma. Ndërkaq, pas zgjedhjeve, këtij koalicioni iu bashkua AKR-ja e Behgjet Pacollit, Lista Serbe, si dhe partitë e komuniteteve tjera pakicë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart