Përfaqësuesi i Britney Spears ka reaguar pas raportimeve të fundit për një darkë të këngëtares më 13 maj në restorantin “Blue Dog Tavern” në Sherman Oaks, Kaliforni.
Sipas TMZ, Spears ishte parë në restorant duke ngritur zërin, duke bërtitur dhe duke bërë zhurma të pazakonta. Në raportim u përfshinë edhe pretendime nga dëshmitarë se artistja kishte kaluar pranë një tavoline me një thikë në dorë, duke krijuar shqetësim se mund të lëndonte dikë aksidentalisht.
Burime të tjera pretenduan se këngëtarja kishte ndezur një cigare pranë hyrjes së restorantit, kishte ushqyer personin që e shoqëronte dhe i kishte thënë “Të dua”, ndërsa vetë kishte ngrënë shumë pak.
Pas publikimit të këtyre pretendimeve, përfaqësuesi i Spears i mohoi kategorikisht raportimet, duke i cilësuar si të ekzagjeruara.
“E gjithë situata është fryrë jashtë mase. Britney po shijonte një darkë të qetë me asistentin dhe truprojën e saj. Ajo thjesht po tregonte një histori se si qeni i saj u lehte fqinjëve. Në asnjë moment nuk vuri askënd në rrezik me thikë. Ajo po e priste hamburgerin përgjysmë”, tha përfaqësuesi i saj.
Ai shtoi se mënyra se si po trajtohet çdo veprim i Spears nga media i kujton periudhën e dy dekadave më parë, kur këngëtarja ishte vazhdimisht në qendër të raportimeve negative.
“Ky sulm i vazhdueshëm ndaj çdo gjëje që ajo bën është pikërisht ajo që ndodhi 20 vite më parë, kur media u përpoq ta paraqiste Britney-n si një person problematik. Kjo është qesharake dhe duhet të ndalet”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Britney Spears ka qenë së fundmi në vëmendje edhe për një çështje ligjore lidhur me drejtimin e automjetit, pas së cilës ajo u deklarua fajtore për një akuzë të reduktuar dhe kërkoi trajtim rehabilitues. /GazetaExpress/