Për tri vite Prishtina do të ketë spitalin më modern në Kosovë


Gazeta Express
6 Prill 2019 15:52

Qytetarët e Prishtinës kanë pritur gjatë për një spital të qytetit që u ofron atyre shërbime shëndetësore të shpejta dhe meritore të cilin akoma nuk e kanë. Mirëpo, 20 vite pas luftës, më në fund diçka konkrete po lëvizë në këtë drejtim.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dje nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Administratës Publike për nisjen e zbatimit të planit për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

“Qytetarët e Prishtinës janë diskriminuar për shumë vite duke mospasur qasje në shërbime shëndetësore të shpejta dhe meritore sikur qytetet tjera të mëdha në Kosovë”, ka thënë ministri Ismaili në një intervistë për lajmi.net.

“Prandaj, nevoja për një spital të qytetit ka qenë e madhe dhe tani përmes marrjes së obligimeve institucionale dhe ligjore, ky projekt i madh për kryeqytetitin nuk është më vetëm një premtim”, ka shtuar ai.

Spitali i Prishtinës pritet të ndërtohet brenda tri viteve dhe kosto fillestare me mundësi rritje është 7 milion euro.

Për detajet e këtij projekti në një intervistë për lajmi.net, flet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ministër, dje nënshkruat memorandumin për projektin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës. Çka përmban ky memorandum?

Ismaili:Ky Memorandum Mirëkuptimi ka për qëllim përcaktimin e obligimeve institucionale për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të projektit “Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës”. Pra, tani edhe zyrtarisht, institucionet e Republikës së Kosovës, me Ministrinë e Shëndetësisë si bartëse të këtij projekti, marrin obligime në bazë të ligjeve në fuqi për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Ky memorandum nuk është asgjë më shumë sesa përgjigje konkrete për kërkesat e mëdha dhe të kahmotshme të qytetarëve të Prishtinës për ndërtimin e nëj spitali. Me memorandumin që nënshkruam së bashku me MAP-in, projekti përfshinë tri faza. 1. Realizimi i Studimit të Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve, 2. Hartimi i projektit detal për ndërtimin në bazë të Studimit, dhe 3. Ndërtimi i objektit në bazë të projektit detal si dhe mbikëqyrja profesionale e fazës së ndërtimit.

Spitali i Prishtinës është një premtim i kahmotshëm por asgjë nuk është bërë deri më tani. A do të realizohet më në fund ky projekt?

Ismaili: Janë tre hapa të rëndësishëm përmes të cilëve i siguroj qytetarët e Prishtinës se ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit nuk është më vetëm një premtim por një punë konkrete e nisur. E para është buxheti i ndarë. Për periudhën tri vjeçare 2019-2021, janë ndarë 7 milionë euro për ndërtimin e këtij Spitali. Natyrisht, nëse Studimi i Fizibilitetit që do të bëhet në vazhdim thotë se Spitali do të kushtoj edhe më shumë, ne do të kemi në dispozivion edhe buxhet shtesë për realizimin e plotë të projektit. E dyta është nënshkrimi i këtij memorandumi. Tani edhe zyrtarisht dhe ligjërisht ne kemi marrë obligime si Institucione për ta ndërtuar këtë spital, çka nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Dhe e treta,gjithçka është përgatitur që brenda tri vitesh qytetarët e Prishtinës do të kenë spitalin e tyre.

Si do të duket ky spital?

Ismaili: Prishtina është prej qendrave të vetme të mëdha në Kosovë që nuk ka spital.Edhe pse nevoja për të ka qenë e madhe qysh moti, qytetarët e Prishtinës kanë qenë të pabarabartë dhe të diskriminuar në marrjen e shërbimeve shëndetësore. Sa i përket dukjes së spitalit dhe kapacitetit që ai do të ketë, këtë do ta vendosin Studimi i Fizibilitetit dhe Hartimi i Planit detal që përcaktohen me këtë memorandum. Megjithatë, ne e kemi një ide se si dëshirojmë të duket ky spital. Ju e keni parë që sot spitalet nuk janë thjeshtë ndërtesa ku ofrohen shërbime shëndetësore. Ato gjithnjë e më shumë po bëhen më miqësore, me më shumë dritë natyrale, me ambiente komodoe për ofrimin e shërbimeve për qytetarët etj. Prandaj, Spitali i Prishtinës do të jetë një nga spitalet më moderne, i pajisur me të gjithë infrasatrukturën përcjelljëse moderne dhe e gatshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore për ta cilat është i përcaktuar.

Kur pritet të përfundoj ndërtimi i këtij Spitali?

Ismaili: Plani aktual është brenda tri vitesh. Pra në vitin 2021 ky spital të jetë i gatshëm për qytetarët e Prishtinës. Sa të kem mandat si ministër i shëndetësisë do të përkujdesem edhe personalisht që punët të shkojnë sipas planit. Kryeqyteti ka pritur mjaftë dhe tani çdo ditë e humbur nuk i shërben askujt.


Brenda tri vitesh Prishtina do të ketë spitalin më modern në Kosovë Ku do të ndërtohet Spitali dhe cili është bashkëpunimi me komunën?

Ismaili: Hapi i parë i imi ka qenë që të marrë iniciativën për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Marrja e obligimeve ligjore dhe institucionale për ndërtimin e tij është vetëm faza e parë. Tani vjen edhe një fazë tjetër ku përfshihet edhe Komuna e Prishtinës. Ne kemi pasur disa takime me Komunën dhe kemi folur edhe për ndërtimin e këtij spitali. Bashkëpunimi ka qenë shumë korrekt dhe i tillë do të mbetet edhe kur të vije puna për ndarjen e parcelës për ndërtimin e  tij. Në fund të fundit, spitali i Prishtinës nuk po bëhet as për zyrtarë të Minsitrisë së Shëndetësisë e as për zyrtarë të Komunës, por për vet qytetarët e Prishtinës për ti dhënë fund diskriminimittë tyre për qasje në shërbime shëndetësore të shpejta dhe meritore të cilin ata e kanë pasur për dekada. /Lajmi.net/

Te fundit


Kthehu lart