Për të pazëvendësueshmin Zheji - Gazeta Express
string(30) "per-te-pazevendesueshmin-zheji"

OP/ED

Gazeta Express

25/08/2025 17:18

Për të pazëvendësueshmin Zheji

OP/ED

Gazeta Express

25/08/2025 17:18

Shkruan Robert Rakipllari

Të nderuar miq, familjarë dhe kolegë,

Jemi mbledhur sot për t’i dhënë lamtumirën trashëgimtarit të ndritur të një dinastie themeluesish të identitetit shqiptar: Artur Zhejit, birit të gjuhëtarit të shquar, Petro Zheji dhe ikonës së Teatrit shqiptar, Besa Imami.

Me rrënjë të forta kulturore e intelektuale shqiptare, ishte e natyrshme që Arturi të rritej me ndjenjën e thellë të përkushtimit ndaj fjalës së bukur, të gdhendur me mjeshtëri e talent të rrallë si dramaturg, së pari, pranë Teatrit Kombëtar, e mandej si kronikan në Radio “Radicale” në Itali e aktivist i çështjes shqiptare në rajonin e Ballkanit; dhe së fundmi si gazetar, publicist dhe analist, duke mbetur në thelb një ithtar i mendimit të lirë dhe mbrojtës i zjarrtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve në çdo hapësirë: publikisht dhe privatisht, për ne që kemi patur fatin dhe privilegjin ta njohim nga afër, si bashkëpunëtorë dhe si miq të tij.

I kultivuar me dije dhe pasion të vërtetë për gjuhën shqipe, letërsinë, artet skenike e dramaturgjinë, gazetarinë e publicistikën, filozofinë politike dhe historinë, Zheji ishte një mentor i ndritur dhe figurë shumë-dimensionale, që fitoi jo vetëm respektin dhe vlerësimin, por edhe dashurinë dhe admirimin e njerëzve me të cilët punoi dhe atë të publikut që e ndoqi.

Ai dha kontributin e tij të çmuar në disa prej institucioneve më të rëndësishme mediatike në vend. Ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, gazetën “Mapo”, si edhe autor e drejtues i emisionit “360 Gradë”, njëkohësisht analist në media të ndryshme e bashkëpunëtor i vyer për mua gjatë gjithë karrierës sime e veçanërisht në “News24” dhe “Top Channel”.

Largimi i tij lë një zbrazëti të madhe në jetën publike dhe në median shqiptare, si një intelektual kalibri, zëri i të cilit nxiste reflektim, fjala të cilit kishte peshë, kishte mendim, kishte elegancë dhe përgjegjësi, pa iu dashur kurrë të imponohej me kulturën dhe talentin e tij sipëror. Zheji mbetet një pikë referimi për ata që zgjedhin të mendojnë para se të flasin dhe të pyesin përpara se të gjykojnë.

Të dashur miq,

Sot nuk po përcjellim vetëm një koleg gazetar. Po përcjellim një mendje të ndritur, një shpirt të angazhuar, një njeri që e jetoi jetën me pasion dhe me përkushtim ndaj familjes së tij, ndaj Klodit, Patrikut, Besjanës dhe Gerit, që i kishte orbitën e vet të pandashme deri në çastet e fundit: ndaj miqve dhe kolegëve që e kishin mentor të padiskutueshëm, ndaj trashëgimisë dhe rrënjëve të tij shqiptare, që i përfaqësoi me aq hijeshi.

Po përcjellim një mik të shtrenjtë, një koleg të vyer, një njeri që ka lënë pas jo vetëm kujtime, por modelin e një mendimtari e patrioti modern, që i dha dritë publicistikës shqiptare.

Figura e tij do të mbetet përherë e lidhur me zhvillimin e reflektimit kritik si një zë i rrallë i mendimit të lirë, si njeri me integritet dhe vizion, një figurë e pazëvendësueshme në jetën publike të vendit tonë.

Lamtumirë Artur!

Fjalët e tua do të na mungojnë.

Por ndikimi yt nuk do të harrohet.

U prehsh në paqe, mik i shtrenjtë!

*Fjalimi i mbajtur nga Robert Rakipllari në përcjelljen e Artur Zhejit