“Për qejf!” Tentoi të vrasë me thikë dy të pastrehë, hetuesit spanjollë habiten me shqiptarin


Gazeta Express
14 Gusht 2019 19:57

I veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, i është afruar dy burrave të pastrehë dhe ka tentuar t’i vrasë me thikën që kishte me vete.

Ngjarja që ka habitur jo pak është regjistruar në Barcelonë të Spanjës dhe për autor mban një shqiptar, identitetin e të cilit mediat vendase nuk e kanë bërë të ditur.

Shqiptari me moshë 30 vjeç ka tentuar të vrasë dy persona, një 42 vjeçar tunizian dhe një 39 vjeçar me origjinë nga Venezuela, që të dy persona të pastrehë.

Rasti i parë ka qenë ai me 42 vjeçarin tunizian më 23 korrik. Shqiptari i veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar i ka shkuar pranë të pastrehut dhe ka tentuar ta vrasë. 42 vjeçari ka mundur të shmangë goditjen e parë të thikës, ndërsa goditja e dytë e ka kapur në bark. I plagosuri ka bërtitur dhe në atë moment shqiptari është larguar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa tuniziani është dërguar në spital. Hetimet kanë nisur që atë ditë, ndërsa më 9 gusht, shqiptari është rishfaqur sërish. I veshur njëlloj dhe me thikë në dorë, i është afruar 39 vjeçarit me origjinë nga Venezuela, i cili po flinte pranë një jetimoreje.

Kësaj here shqiptari ka tentuar ta qëllojë në zemër të pastrehun, por edhe kësaj rradhe nuk ia ka arritur ta vrasë viktimën e tij të dytë. 39 vjeçari gjithsesi ka marrë një sërë goditjesh në duar e këmbë, teksa tentonte të mbrohej.

Duke parë ngjashmërinë e rasteve, policia pas disa ditësh ka mundur ta identifikojë shqiptarin dhe ta arrestojë. 30 vjeçari jetonte në zonën ku dhe kreu sulmet, e deri më tani mbetet ende mister se përse ai sulmoi pa asnjë arsye dy personat e pastrehë. Në kërkimet që hetuesit kanë bërë në të kaluarën e tij, nuk rezulton se shqiptari ka qenë pjesë e ndonjë organizate të rrezikshme.

Ditën e nesërme pritet që shqiptari të dalë në gjyq, ku dhe mund të mësohen të tjera detaje, veçanërisht mbi arsyet që e kanë shtyrë të vrasë dy njerëz “thjesht për qejf”./Express

Te fundit


Kthehu lart