Për një muaj 20 mjekë u larguan nga Kosova - Gazeta Express
string(42) "per-nje-muaj-20-mjeke-u-larguan-nga-kosova"

Për një muaj 20 mjekë u larguan nga Kosova

Lajme

Gazeta Express

20/03/2022 10:21

Ekspertët e shohin mjaft shqetësuese ikjen e mjekëve nga Kosova. Madje ata thonë se për shkak të pagave të ulëta profesionistët shëndetësor po detyrohen të zgjedhin migrimin për një jetë më të mirë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se mjekët e larguar po ikin nga vendi për punë e jetë të dinjitetshme.

Lexo Edhe:

“Diku 48 mjekë vetëm muajt e fundit janë larguar nga Kosova. Ata po ikin, por për shkak të kushteve dhe mospërkrahjes nga Qeveria, po largohen për punë dhe jetë të dinjitetshme”, tha Zemaj.

Se Kosova po mbet pa mjekë, e thotë edhe Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online duke shtuar se brenda 10 vjetëve spitalet do të fillojnë të mbyllen.

“Brengosëse nuk është vetëm numri sepse mbi 20 mjekë janë larguar vetëm gjatë këtij muaji. Numri i tyre që presin largimin është shumë më i madh. Mbi gjysma e tyre janë në specializime dhe nuk janë të kënaqur me atë çka ofron shteti për shkollimin e tyre”.

“Ne jemi duke mbetur pa mjekë dhe brenda 10 vjetëve spitalet tona do të fillojnë të mbyllen deri atëherë. Për dhjetë vjet 1 300 vetë do të pensionohen. Ne kemi një sistem që nuk ofron kushte të mjaftueshme për punën e mirëfilltë të mjekëve dhe sigurinë në punën e tyre”, tha Sejdiu.

Kurse Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se mungesa e pagave meritore ka bërë që të ketë numër kaq të madh të mjekëve që po e lëshojnë Kosovë.

“Ka migrime, por njëra prej arsyeve themelore janë pagat e ulëta. Nisur nga kjo dukuri po na ikën cilësitë më të mira nga Kosova”.

Zemaj i bënë thirrje Qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë që sa më shpejt ta sjellin Ligjin e pagave për miratim në Kuvend, ndryshe si deputet do të marrin iniciativa ligjore.

“Nuk e dimë sa është duke u punuar sa i përket Ligjit të pagave, por e dimë se nuk është duke u bërë asgjë në kuptimin e asaj që nuk ka as diskutim publik. Ajo çka kemi parë vitin e kaluar në strategjinë legjislative është dëshmuar se nuk është përfunduar dhe nuk është arritur as të niset një procedurë e tillë qoftë për hartimin e  Ligjit e pagave dhe për sigurime shëndetësore. Është proklamuar që do të sillet, por nuk është sjellë as njëra as tjetra”.

“Në kërkojmë zgjidhje për të qenë korrekt me pagën meritore ata të cilët nuk e kanë tani më. Kur të jesh i mbyllur dhe kur nuk je transparent me popullin tënd atëherë ngritën dilema që nuk është duke u bërë asgjë. Duhet guxim, veprim dhe koordinim të plotë për të gjetur më të mirën e mundshme. Asnjërën nga këto nuk po e bënë qeveria dhe as ministria e shëndetësisë. Andaj ne thërrasim që në mënyrë të shpejt që të ketë koordinim përndryshe ne duhet të marrim iniciativa ligjore si deputet të këtij Kuvendi qoftë për Ligjin për shëndetësi qoftë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për paga”.

Kurse Dreshaj tha se ligjet janë në proces mirëpo fatkeqësisht ka shumë vonesa deri në miratimin e tyre. /EO