Për një kalë e vrau biznesmenin në Vlorë, si i shpëtoi burgut 10 vite më parë i dyshuari Eduart Xhezo


Gazeta Express
6 Gusht 2019 13:00

Eduart Xhezo, i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Vlorë pasditen e së dielës, me nje viktime e dy te plagosur është një person me të kaluar kriminale.

34-vjeçari rreth 10 vite më parë, është dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg për “Vrasje me dashje të dy a më shumë personave”, të mbetur në tentativë, si dhe “Armëmbajtje pa leje”. Xhezo, në atë kohë tregtar zarzavatesh me shumicë, u arrestua pas 5 vitesh në kërkim.

Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Vlorës, gjithçka e ka zanafillën më 9 dhjetor të vitit 2005. Në datë 09.12.2005, rreth orës 07:00 të mëngjesit, Xhezo ka qenë duke shitur në dyqanin e tij. Në këtë orë kanë ardhur për t’u furnizuar me artikuj bujqësorë shtetasit Skënder Rama dhe Klodjan Rama.

Midis Xhezos, i cili në këtë kohë po shiste, dhe atë e bir gjatë kohës që po peshohej një sasi patatesh, ka filluar një debat në lidhje me çmimin. Si pasojë e mosrënies dakord, blerësit janë tërhequr nga blerja e mallit. Ky fakt ka shërbyer si shkak që të fillojë një debat fillimisht me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në goditje reciproke fizike. Xhezo ka marrë një gurë peshe dhe me të ka goditur në kokë Klodjan Ramën.

Grindja është ndërprerë pasi Skënder Rama dhe Klodjan Rama janë larguar. Kreshnik Rama, djali tjetër i Skënder Ramës, po atë ditë, rreth orës 09:00 të mëngjesit, pa ditur gjë në lidhje me grindjen që familjarët e tij kishin pasur, rastësisht ka shkuar për t’u furnizuar me furgon. Por, Xhezo duke pandehur se kishte shkuar për t’u hakmarrë, ka marrë një armë automatike dhe në momentin që furgoni ka ndaluar është afruar dhe në një distancë rreth 7-8 m ka qëlluar në drejtimin të furgonit.

I plagosur mbeti Rama dhe shoferi i furgonit. Pas kësaj ngjarjeje, Xhezo, atëherë 20 vjeç, është larguar dhe hetimet janë zhvilluar në mungesë të tij, nga ku ka rezultuar se i riu ka qëlluar me kallashnikov. Sipas prokurorit të çështjes, qëllimi i goditjes së dy të rinjve ka qenë vrasja e tyre.

Dënimi i dhënë nga Gjykata për Xhezon ishte 14 vjet, ndërsa duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, çka nënkupton uljen e një të tretës së dënimit atij do t’i duhet të vuajë vetëm 9 vjet e 4 muaj burg. Vendimi i marrë në mungesë të tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë dhe më pas e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, u dërgua nga Xhezo në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, në vitin 2012, ka prishur pjesërisht vendimin, duke e dënuar me vetëm 2 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje./Panorama

Te fundit


Kthehu lart