Për hipokrizinë e pushtetit - Gazeta Express
string(27) "per-hipokrizine-e-pushtetit"

Për hipokrizinë e pushtetit

OP/ED

Gazeta Express

24/11/2023 16:03

Do të ishte hipokrite vetë pretendimi të kërkojmë rregulla dhe parime morale e demokratike te banditët e PDK-së dhe AAK-së. Kjo nuk më bën të them as të lë të nënkuptohet se VV nuk përbëhet nga banditë të tillë. I ka me bollëk. Por, i ka hipokritët me më bollëk. Mbase goxha më shumë se sa LDK

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Këtyre ditëve, duke vrarë mendjen rreth hipokrizisë, erdha te një përfundim, të cilin do ta përshkruaja, në gjendjen e tij ende të ashpër, kësodore: përderisa hipokrizia e pushteteve të kaluara (LDK, PDK, AAK) më bënte edhe të qeshja dhe ta rrokja (në kuptimin e të kuptuarit dhe pastaj shkruarit për të), hipokrizia e pushtetit të tashëm, Vetëvendosjes, disi më lë të shtangur. Të më qeshet as që vjen në shprehje, po më e keqja është se pastaj nuk më vjen as të shkruaj, të reagoj, të them çkadoqoftë. Përballë këtij dorëzimi, jam i mposhtur, pra, por jo pse s’kam ç’të them, por sepse, tamam, duket banale – e pamundshme – edhe vetë ripërsëritja e fakteve.

Hipokrizia – nga greqishtja e vjetër, hypokrisis: shtirje, xhelozi, skuthëri – në psikologjinë morale është respekti i munguar nga ana e një personi ndaj rregullave dhe parimeve morale që i shpreh. E më shumë se mungesë e sinqeritetit, në të vërtetë, është mungesë e lojalitetit dhe ndershmërisë. Për ta përmbyllur këtë vështrim kaq reduktues: gënjeshtrari gënjen kundër fakteve, hipokriti gënjen kundër ndjenjave të veta.

Kështu vijmë edhe deri te një dallim për mua shumë fundamental, natyrisht pa më shkuar kurrë në mendje të justifikojë askënd dhe asgjë. Në disa raste, te pushtetet e kaluara, kemi mundur të vërejmë arsyetime për shkeljet që bëheshin, të cilat, në njëfarë mënyre, edhe s’do të mund t’i kualifikonim si hipokrite. Vinin nga persona që ende, edhe pas gjithë kritikave dhe gjykimeve pothaujse shterëse, ende pra besonin se shkeljet e tyre nuk ishin shkelje dhe se veprimet e tyre ishin njëmend të duhura dhe të drejta. Mund të themi se, ndër të tjera, kishin mungesë edukimi në parime e norma njerëzore e demokratike dhe natyisht kjo i bën po aq të dënueshëm sa të tjerët. Por nuk shtireshin, nuk shpreheshin kundër besimeve dhe parimeve të tyre të tilla çfarë i kishin. Që të tregohem më arrogant, më duhet të them se do të ishte hipokrite vetë pretendimi të kërkojmë rregulla dhe parime morale e demokratike te banditët e PDK-së dhe AAK-së.

E kjo po ashtu nuk më bën të them as të lë të nënkuptohet se VV nuk përbëhet nga banditë të tillë. I ka me bollëk. Por, i ka hipokritët me më bollëk. Mbase goxha më shumë se sa LDK. Fakti se, për mua, hipokrizia e pushetit të tanishëm është më ngurosëse tregon se është po ashtu, vetëkuptohet, më e vështirë për ta përballuar, luftuar dhe hequr qafesh. Është hipokrizi që është e pjekur në gjendjen e të qenit e paprekshme, e pathyeshme. Është më tepër hipokrizi ideologjike se sa bandisteske. Nuk po them se ne jemi të humbur përfundimisht, porse përderisa janë në pushtet legjitmisht, do të jenë të paprekshëm dhe të pamundshëm në shkeljet që po i bëjnë dhe do t’i bëjnë. Një ditë, sigurisht, do të largohen me bisht ndër shalë si çdo pushtet tjetër. Po deri atëherë, ashtu siç është edhe qëllimi i tyre dhe i çdo pushteti, do të bëjnë atë që do të duan të bëjnë. Sot me Gani Jakupin, e nesër me Jakup Ganiun.