Për çka do të mbahet mend legjislatura e gjashtë


Gazeta Express
22 Gusht 2019 15:48

Me përplasje fizike, vendime skandaloze, mungesë kuorumi e bojkot të seancave nga pozita e opozita është shënuar legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës.

Me përplasje fizike, vendime skandaloze, mungesë kuorumi e bojkot të seancave nga pozita e opozita është shënuar legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës.

Pak ditë pa i mbushur dy vjet që nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë të Kuvendit, deputetët u vetëshpërndanë, duke votuar mocionin e shpërndarjes me 89 vota për, dy abstenime dhe një kundër.

Legjislatura e gjashtë e konsideruar si më e dobëta që ka pasur Kosova që nga paslufta, mbahet mend për veprime e vendime skandaloze, duke nisur nga mbarëvajtja e çrregullt e punimeve e deri të mungesa e theksuar e kuorumit, shkruan Insajderi.

Gjatë kësaj legjislature ka pasur përplase mes deputeteve që për pak ka eskaluar në dhunë fizike.

Kontakti fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018 në mes të nënkryetarit të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka rezultuar me aktakuzë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Halitit, por përveç tij, me aktakuzë është ngarkuar edhe deputeti nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi.

Haliti akuzohet për veprën penale “sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “kanosje”.

Kjo legjislaturë njihet për ndryshimet në favor të partive politike të ligjit për Financimin e Partive Politike, duke propozuar dyfishim të donacioneve për partitë politike, zvogëlim të kontrollit dhe transparencës mbi financat e tyre. Ligji u tërhoq nga kryeministri pas presionit të opinionit publik e OJQ-ve.

Gjatë votimit të një ligji tjetër të rëndësishëm janë bërë edhe shkelje të rregullores së punës. Pra gjatë votimit të Ligjit për Pagat, ndryshimi i amendamenteve ishte bërë edhe gjatë fazës së miratimit të tij final, krejt në kundërshtim me Rregulloren e Punës.

Por ky Kuvend në përbërje të kësaj legjislature ka dështuar të miratojë Rregulloren e Punës në të cilën kanë punuar për më shumë se një vit e që ka tri legjislatura që tentojnë ta hartojnë të renë.

Për më tepër është legjislatura e vetme që deri tash është shpërndarë pa i përmbyllur seancat e para një viti, pra ka seanca të hapura prej tetorit 2018.

Me sukses ka arritur të shënojë zvarritje të emërimeve të anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura, kryesisht për shkak të mungesës së kuorumit në seanca, njësoj edhe për raportet e performancës së këtyre agjencive që i raportojnë Kuvendit.

Por në rastet kur ka votuar, ka zgjedhur njerëz me të kaluar të dyshimtë.

Kjo legjislaturë e ka votuar për drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Naser Shalën, i njohur me nofkën “Ftyra”.

Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Legjislatura e gjatë e Kuvendit njihet edhe organizimin e shumë seanca të jashtëzakonshme për ngjarjet që në fakt nuk kanë qenë të jashtëzakonshme, që në fund kanë rezultuar pa efekt dhe pa votim të rekomandimeve e rezolutave.

Për më tepër komisionet hetimore kanë qenë karakteristikë e kësaj legjislature, për shkak të rëndësisë edhe të temave që i kanë hetuar dhe njerëzit e profilit të lartë që i kanë ftuar të dëshmojnë. Njëra ndër to ka qenë raportimi i presidentit Hashim Thaçi, për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart