Çdo muaj nga 100 kosovarë dërgohen për shërim jashtë vendit


Gazeta Express
25 Qershor 2019 18:10

Për çdo muaj rreth 100 qytetarë të Kosovës aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë në përpjekje për të siguruar mundësinë për t’u shëruar jashtë vendit. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti për kurimin e sëmundjeve 661 qytetarë i janë drejtuar MSH’së.  Për gjithë këto raste, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 5.6 milionë euro. E lista po rritet nga viti në vit

Gentiana HASANI

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë prej vitesh vuajnë nga mungesa e barnave, cilësia jo e mirë e shërbimeve shëndetësore, por edhe nga kushtet jo të mira për punë. Në pamundësi që pacientëve t’ua japin shërbimet e duhura mjekësore, këta të fundit po detyrohen që ilaçin ta gjejnë jashtë Kosovës.

Shërim në Kosovë nuk po mundet të gjejë as Haruni, i cili i ka vetëm një vit jetë. Ai po vuan nga një sëmundje e rrallë gjenetike e quajtur ”Hipotoni”, e që kryesisht shfaqet tek fëmijët e moshës së Harunit.

Mjekët kosovarë, në pamundësi për trajtimin e kësaj sëmundjeje, kanë rekomanduar që Haruni të trajtohet në njërin nga shtet evropiane.

Por, që kjo të jetësohet, familja e tij po kërkon ndihmë financiare. Kjo ngase familja nuk ka para të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet. Babai i tij, Rrustem Brahimi, ka kërkuar ndihmën e secilit, pasi që sipas tij, Haruni tani është në fazën ekstreme të sëmundjes, dhe kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve.

“Ndihma juaj mund të jetë duke dhënë para në konton për grumbullimin e fondeve për shërim. Duke na ndihmuar për të gjetë ndonjë spital në Europë që merret me këtë problem të Harunit”, ka shkruar babai i Harunit në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë për të birin.

Për gjashtë muaj afro 700 qytetarë kërkuan shërim jashtë Kosovës

E hall të njëjtë si të kësaj familja kanë edhe qindra persona të tjerë në Kosovë.

Pacientët kosovarë nuk po mund që të gjejnë shërim në vendin ku janë lindur. Mungesa e shërbimeve shëndetësore ka bërë që vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, shërim për sëmundjet nga të cilat ata po vuajnë, në Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, të kërkojnë 661 qytetarë.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zyrtarë nga Zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë. Për këto raste, janë shpenzuar rreth 5.3 milionë euro.

“Gjatë vitit 2019 në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, respektivisht programin e Trajtimit Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, kanë aplikuar 661 persona. Shuma e aprovuar për trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore është 5.3 milionë euro”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë, kosovarët më së shumti ndihmë financiare po kërkojnë për sëmundjet që lidhen me Oftamologji, Ortopedi, Onkologji e Pediatri.

E, shpresat që kosovarët të gjejnë shërim në Kosovë për të gjitha sëmundjet me të cilat ata vuajnë janë të pakta. Sipas ministrisë, po punohet që shërbimet oftamologjike t’i kryejnë në vend duke blerë aparatura të reja.

“Deri në vitin 2017, programi për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore ka shpenzuar më së shumti të holla për sëmundjet kardiovaskulare. Tashmë ka nisur puna që edhe në Oftamologji dhe Ortopedi të bëhen investime të nevojshme për rritur dinamikën e punës dhe për të shtuar shërbimet”, kanë deklaruar zyrtarë të MSh’së.

Pavarësisht kësaj, gjatë gjithë vitit të kaluar për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 1 mijë e 432 persona me buxhet të shpenzuar me rreth 9 milionë euro.

Sidoqoftë, mos përfshirja e Kosovës në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza, po u kushton shumë qytetarëve, të cilët për nevoja të ndryshme duan të nisen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sfida më e madhe mbetet për pacientët të cilët nuk mund të marrin shërbimet shëndetësore brenda Kosovës dhe vihen në kërkim të shërimit jashtë vendit. Por, sfidë më vete mbetet edhe pajisja e tyre me vizë.

Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për kosovarë./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart