Pengje të rehatimit të Isës


Gazeta Express
22 Nëntor 2019 10:34

Qytetarët e Kosovës nuk mund të mbeten pengje të zvarritjes së krijimit të institucioneve të reja për shkak të ambicieve të Isa Mustafës që të rehatohet në postin e presidentit. Vota e 6 tetorit ka determinuar qeverinë e re dhe vullneti i qytetarëve nuk duhet nxjerrë për asnjë çmim në pazar

Imer Mushkolaj

Gati shtatë javë nga votimet e 6 tetorit dhe rezultati i zgjedhjeve nuk është certifikuar. Qytetarët vazhdojnë të mbeten pengje të zvarritjes së përligjjes së votës që e kanë dhënë, ndërkohë që koalicioni i pritshëm ndërmjet Vetëvendosjes e LDK’së duket të jetë peng i postit të presidentit.

Isa Mustafa nuk e ka fshehur ambicien e tij për këtë pozitë, duke paralajmëruar për këtë çështje edhe diskutime me Vetëvendosjen.

“Ne do të mundohemi që të arrijmë marrëveshje me Vetëvendosjen, që t’i trajtojmë të gjitha pozitat, përfshirë edhe presidentin”, tha ai të enjten mbrëma në një intervistë.

Ndonëse u përpoq të tregohet parimor, duke thënë se nuk do të kushtëzohet marrëveshja e koalicionit për arsye të ambicies personale të dikujt, qoftë edhe të tijat, ai la të kuptohet se LDK synon këtë pozitë. Sipas tij, nuk mundet një subjekt ta ketë edhe presidentin, edhe kryeministrin. Ai madje u tregua paragjykues teksa foli për mundësinë që ky post t’i takojë dikujt që mund të jetë jashtë politikës. “S’kemi njerëz që nuk janë politikë në Kosovë (për postin e presidentit), unë s’e njoh asnjërin dhe deri më tani asnjëri s’doli që nuk e ka një afinitet ndaj partive politike”, tha ai.

Por duket se Mustafa, po ashtu, “nuk e njeh asnjërin” as brenda LDK’së që do të mund ta merrte postin e të parit të shtetit, po që se pajtohet Vetëvendosja, duke i hapur kështu rrugë vetes që karrierën e gjatë politike ta përfundojë si pasardhës i Hashim Thaçit.

Në kohën kur është i nevojshëm krijimi sa më i shpejtë i institucioneve, janë të papërgjegjshme përpjekjet e kujdoqoftë, në këtë rast të LDK’së dhe Mustafës, për të kushtëzuar arritjen e marrëveshjes me ngopjen e apetiteve personale. Qytetarët kanë votuar më 6 tetor për zgjedhjen e deputetëve të rinj, të cilët më pas votojnë qeverinë e re, e jo për të përmbushur ambiciet e Isa Mustafës për postin e të parit të shtetit. Këtë lojë di ta luajë mirë personi që ka qenë pjesë e të gjitha pushteteve në tri dekadat e fundit.

* * *

Që nga ardhja e tij në krye të LDK’së, në vitin 2010, Isa Mustafa ka njohur vetëm humbje elektorale. Ai dhe partia që e udhëheq kanë dështuar në gjashte palë zgjedhje, por kjo nuk e ka zbrapsur të vazhdojë tutje, natyrisht me mbështetjen e konformistëve të regjur brenda partisë, të cilët duke mbështetur pa rezervë atë, kanë ruajtur edhe interesat e veta.

Është rrëfim në vete se si Mustafa ia doli ta marrë në dorë partinë dhe, po ashtu, rrëfim tjetër interesant se si po ia del ta menaxhojë edhe më tutje me dorë të fortë , madje me një mandat të ri prej kryetari.

Po të ishte LDK parti institucionaliste çfarë zyrtarë të saj thonë të jetë, atëherë më e pakta që do të duhej bërë do të ishte që nga kryetari të kërkojnë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme.

Por, në vend të kësaj, garnitura e vjetër e partisë dhe një pjesë jo e vogël e brezit të ri nuk hezitojnë që gjithçka ta arsyetojnë me, sipas tyre, rezultatin e mirë të LDK’së. Madje, pa pikë turpi, humbjen në zgjedhje e proklamojnë si fitore.

Në një konfigurim të tillë brendapartiak, është e natyrshme që Mustafa të vazhdojë betejën për president, duke vënë në pikëpyetje edhe arritjen e marrë veshjes për bashkëqeverisje me partinë fituese të zgjedhjeve. Të paktën kështu deklarohen edhe publikisht njerëz të afërt me të, po ashtu dështakë në zgjedhjet e fundit, të cilët arritjen e koalicionit me Vetëvendosjen e kushtëzojnë me postin e presidentit.

LDK është e njohur për pazare politike, rezultatet e disa prej të cilave vazhdon t’i mbajë si njolla të zeza edhe sot. Zgjedhja e Hashim Thaçit president është njëra nga to. Mbase logjika e Mustafës thotë se, nëse LDK e ka bërë Thaçin president, pse të mos e bëjë atë Vetëvendosja.

* * *

Kushtëzimi i arritjes së koalicionit qeverisës me postin e presidentit nuk duhet lejuar, qoftë edhe me çmimin e dështimit të marrëveshjes. Vetëm në këtë mënyrë do t’iu jepej fund pazareve partiake, plotë sisht joparimore, çfarë kanë ndodhur deri tash në skenë n politike.

Nuk është e vërtetë se nuk qenka e mundur të gjendet një emër për president koncensual, jashtë politikës. Por këtë nuk e lejon ambicia e Mustafës. E ambicien e tij nuk duhet t’ia përmbush Vetëvendosja.

Qytetarët nuk e kanë luksin të mbeten pengje të akomodimit të askujt në poste shtetërore. Vota e 6 tetorit ka determinuar koalicionin qeverisës dhe vullneti i qytetarëve nuk duhet nxjerrë për asnjë çmim në pazar.

Te fundit


Kthehu lart