Pendarovski e priti shefin e SHM-së së forcave të armatosura norvegjeze, admiralin Brun-Hansen


Gazeta Express
13 Gusht 2019 13:32

Me anëtarësimin e ardhshëm të vendit në NATO hapen mundësi të reja për zgjerimin e partneritetit midis armatave të Norvegjisë dhe të Maqedonisë së Veriut, konkluduan presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Forcave të armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë, admirali Hakon Brun-Hansen në takimin e sotëm në Shkup.

Në takim, informojnë nga Kabineti i Pendarovskit, u këmbyen mendime për bashkëpunimin gjithëpërfshirës midis dy vendeve, veçanërisht për bashkëpunimin bilateral ushtarak.

Presidenti Pendarovski u falënderua për mbështetjen norvegjeze për aspiratën tonë për anëtarësim në Aleancë, të konfirmuar me ratifikimin e Protokollit për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Parlamentit norvegjez në muajin qershor.

Ai shprehu pritje se në periudhën në vijim do të përfundojë ratifikimi në të gjitha shtetet anëtare të Aleancës dhe deri në fund të këtij viti vendi do të bëhet anëtar i plotfuqishëm i NATO-s.

Maqedonia e Veriut, theksoi presidenti Pendarovski në takim, me kontributin e tij në misionet paqësore të Aleancës, është mbështetës aktiv i paqes në nivel global dhe anëtarësimi i saj në NATO është merituar kohë më parë. Me anëtarësim të plotfuqishëm në NATO, shtoi, do të rrumbullaksohet njëri prej përcaktimeve kyçe strategjike të shtetit, që do të kontribuojë për zhvillimin e saj të përgjithshëm. .

Te fundit


Kthehu lart