Një nga çështjet më misterioze në historinë e Britansië – zhdukja e 3-vjeçares Madeleine McCann, gjatë kohës kur ajo ishte me pushime në Portugali, në vitin 2007 – është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi policia dha informacion për një të dyshuar të ri.
Bëhet fjalë për një të burgosur gjerman, i cili po vuan dënimin për abuzim seksual me fëmijët. Ai po hetohet si i dyshuar për vrasjen e Madeleine, një tragjedi që nuk ka mundur të qartësohet as sot pas 13 vitesh.
Në qendër të tragjedisë është një familje, që ende nuk ka një përgjigje për atë që i ndodhi vajzës së tyre të vogël.
Çfarë ndodhi 13 vite më parë?
Në maj të 2017-ës, Gerry dhe Kate McCann po qëndronin në një apartament në Praia da Luz në Portugali, ku ishin me pushime, së bashku me tre fëmijët e tyre.
Çifti shkoi për darkë me një grup miqsh në një restorant aty pranë, duke i lënë fëmijët vetëm në gjumë. Ata i kontrollonin herë pas here fëmijët, por kur Zonja McCann u kthye në dhomë rreth orës 10 të mbrëmjes pa që Madeleine nuk ishte.
Zhdukja e saj bëri që të fillonin kërkimet ndërkombëtare dhe hetimet, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Historia preku zemrat dhe fiksoi gjithë Britaninë
Për shumë ditë me radhë historia e Madeleine qëndroi në faqet e para të gazetave dhe nuk u nda nga ekranet televizive. Të shumtë ishin dëshmitarët që panë vuajtjen e Gerry dhe Kate McCann.
Dhimbja e familjes u shtua edhe më shumë kur çifti u bë objekt kritikash, veçanërisht në shtypin tabloid, për faktin se i la fëmijët vetëm për të darkuar me miqtë.
Trauma e tyre u bë edhe më e madhe kur detektivët portugezë e morën çiftin në pyetje, si të dyshuar për zhdukjen e Madeleine. Hetimet ndaj tyre ndaluan në 2008, për mungesë provash. Më pas avokati i McCann e quajti trajtimin e tyre nga mediat britanike “një skandal kombëtar”.
Ç’ndodhi me hetimet?
Të shumta ishin hetimet që u bënë kudo në Evropë nga policia britanike dhe u mbështetën edhe nga vetë familja McCann nëpërmjet punësimit të detektivëve privatë.
Hetimi që filloi në 2011 ka kushtuar më shumë se 11 milionë paund. Pavarësisht identifikimit të personave të dyshuar përgjatë viteve, çështja e Madeleine vazhdon të jetë ende e pazgjidhur.
Çështja ka qenë edhe subjekt i shumë dokumentarëve, duke përfshirë edhe një serial me 12 episode në Netflix, në 2019. Seriali u kritikua nga prindërit e Madeleine, pasi sipas tyre pengonte hetimet.
Çfarë po ndodh tani?
Policia gjermane sapo ka shpallur një të dyshuar të ri – një 43-vjeçar gjerman, i cili po vuan një dënim të gjatë për abuzime seksuale me fëmijë. Ai është aktualisht nën hetim për vrasjen e 3-vjeçares.
“Christian B” udhëtoi rreth Portugalisë me një furgon kampingu dhe besohet se ka qenë në zonën ku po pushonte familja McCann, kur u zhduk Madeleine.
Policia britanike vazhdon hetimet, ndërsa Kate dhe Gerry McCann thonë se nuk kanë reshtur kurrë së shpresuari. Ata e përshkruajnë pistën e fundit si “domethënëse’.
“Gjithçka që duam është ta gjejmë [Madeleine], të zbulojmë të vërtetën dhe t’i vendosim para drejtësisë përgjegjësit”, -është shprehur çifti gjatë një deklarate.