PDK-së i vjen inat për takimin, Reçica thotë se Mustafa e Kurti donin ta eliminonin njëri-tjetrin


Gazeta Express
13 Gusht 2019 15:23

Partia Demokratike e Kosovës, si duket po i sheh me shqetësim të madh zhvillimet që po bëhen në mes të LDK-së e VV-së e që mund të rezultojnë me ndonjë koalicion, tash kur po flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme. Menjëherë pas takimit nga partia e Kadri Veselit kanë reaguar duke thënë se ia kujtojnë Isa Mustafës e Albin Kurtit kohën kur të dy këta donin ta eliminonin njëri-tjetrin, raporton Gazera Express.

Për takimin e sotëm ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe atij të VV-së Albin Kurti, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, deklaron se është i pakuptimtë nëse kujtohet historia dhe raportet e tyre me një armiqësi të thellë.

“Këto takime për mendimin tim janë shumë të çuditshme dhe janë në një farë mënyre jonormale. Ne e dimë se kjo histori është shumë e afërt dhe dimë raportet mes subjekteve të tyre dhe atyre individuale. Mirëpo, për ne si PDK dhe për vendin është shumë mirë kur liderët politik dhe partiak edhe ata që kanë që në armiqësi të thellë kur kanë provuar me të gjitha mjetet dhe forcat ta eliminojnë njëri tjetrin jo vetëm politikisht, të ulën të bisedojnë. Për ne kjo është një mundësi që të shohim shtendosje në jetën politike dhe po shpresoj që nuk i kanë vetëm sa për të dërguar mesazhe jo të duhura dhe jo adekuate në adresë të partive tjera politike”, tha Reçica në një intervistë për KosovaPress.

Sot, ndërkaq, në një nga restorantet e Prishtinës janë takuar kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti./Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart