PDK’ja përgëzon Abelard Tahirin për kthimin e kosovarëve nga Siria


Gazeta Express
20 Prill 2019 12:50

Partia Demokratike e Kosovës ka përgëzuar institucionet e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë për kthimin e kosovarëve që kanë qenë në zonat e luftës në Siri.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, nga kjo parti kanë thënë se sot Republika e Kosovës ka dëshmuar maturinë e vet për t’i dalë në ndihmë secilit qytetar, duke mos i braktisur ata.

Sipas PDK’së, kthimi i qytetarëve nga zonat e luftës, veçanërisht i grave dhe fëmijëve është një hap që duhet të inkurajojë institucionet për të punuar edhe më shumë që asnjëherë qytetarët të mos jenë viktimë e personave të papërgjegjshëm dhe të përfundojnë në vatrat e luftërave të huaja mbi çfarëdo lloj pretendimesh.

Partia Demokratike e Kosovës e ka përgëzuar edhe Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri për realizimin e këtij aktiviteti.

Kjo është komunikata e plotë e PDK’së:

Partia Demokratike e Kosovës, përshëndetë operacionin e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë si dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar për kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë qenë në zonat e luftës në Siri.

Sot, Republika e Kosovës ka dëshmuar maturinë e vet për t’i dalë në ndihmë secilit qytetar, duke mos i braktisur ata.

Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se shoqëria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj kanë qenë jashtëzakonisht të vendosura në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si dhe duhet të vazhdojnë edhe më tej me vendosmëri që të zbatojnë parimet e rendit tonë kushtetues dhe ligjor kundër çdo aktiviteti dhe personi që tenton, merr pjesë apo kryen vepra penale të kësaj natyre.

Në anën tjetër, kthimi i qytetarëve tanë nga zonat e luftës, veçanërisht i grave dhe fëmijëve është një hap që duhet të na inkurajojë për të punuar edhe më shumë që asnjëherë më qytetarët tanë të mos jenë viktimë e personave të papërgjegjshëm dhe të përfundojnë në vatrat e luftërave të huaja mbi çfarëdo lloj pretendimesh.

Partia Demokratike e Kosovës përgëzon Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri për lidershipin e tij në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm dhe human për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Qytetarët e kthyer nga zonat e luftës, kanë kaluar periudha traumatike dhe ne si shoqëri duhet të kemi mirëkuptim, të kontribuojmë në rehabilitimin e tyre si dhe integrimin e tyre në jetën tonë shoqërore.

Fëmijët e Republikës së Kosovës e kanë vendin në shkolla dhe e ardhmja e tyre nuk mund të manipulohet nga askush. Ky parim sot është bërë realitet dhe është kursi i duhur që duhet të ndjekim si shoqëri e përkushtuar për një rend liberal, e bazuar mbi vlerat më të larta të mirëkuptimit, tolerancës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart