PDK-ja e fundit i dorëzon nënshkrimet për shpërndarjen e Kuvendit, në Kryesi ishte një marrëveshje tjetër


Arlena Krivenjeva
13 Gusht 2019 14:41

Kadri Veseli po vazhdon të insistojë që zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen pas 22 gushtit kur do të shpërndahet Kuvendi. Megjithatë, partia e tij është e fundit që ka dorëzuar nënshkrimet për shpërndarje. Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur për Gazetën Express se sot e ka proceduar mocionin për seancë të jashtëzakonshme. Ai po thotë se janë 93 nënshkrime të mbledhura gjithsej. Nga LDK-ja në anën tjetër, kreu i deputetëve, Avdullah Hoti, i ka thënë Express-it se dakordimi ishte që nënshkrimet të mblidheshin më së largu të enjten e kaluar.

Gazeta Express

Data 22 gusht, pas një mbledhje që mbajti javën e kaluar Kryesia e Kuvendit të Kosovës, përmes një vendimi u zgjodh si datë kur do të bëhet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, kjo pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.

Këtë propozim e dhanë menjëherë pas dorëheqjes nga Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë, Kadri Veseli, kreu i Kuvendit në detyrë, pas mbledhjes vendosi që meritat t’ia japë vetes.

Ai tha se zgjedhjet janë të pashmangshme, megjithatë, partia e tij e çoi zvarrë punën e procedimit të nënshkrimeve.

Përderisa VV-ja, LDK-ja, PSD-ja, AAK-ja e Nisma, këto nënshkrime i dorëzuan javën e kaluar, PDK-ja ato i dorëzoi sot.

Në një përgjigje për Gazetën Express këtë e ka konfirmuar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. I njëjti po thotë se sot është proceduar mocioni për seancë të jashtëzakonshme.

“Sot, e kam proceduar mocionin për seancë të jashtëzakonshme me datë 22 gusht, me qëllim të shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, sipas dakordimit të mëhershëm me të gjitha grupet parlamentare. Janë 93 nënshkrime të deputetëve nga PDK, LDK, VV, AAK, PSD dhe NISMA të cilat zyrtarisht janë protokolluar sot”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Por, pse u vonuan nënshkrimet e PDK-së?

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk e di nëse PDK-ja ka dorëzuar nënshkrimet, por që në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit janë dakorduar që ato t’i dorëzojnë deri të enjten e kaluar.

“Nuk jam në dijeni nëse i kanë dorëzuar apo jo. Dakordimi në Kryesi të Kuvendit ka qenë që deri të enjten e kaluar të dorëzojmë nënshkrimet. Neve i kemi dorëzuar nënshkrimet e 25 deputetëve të enjten”, tha Hoti për Gazetën Express.

Kadri Veseli tashmë ka filluar fushatën për partinë e tij, derisa po insiston se ai do të marrë pozitën e kryeministrit, ani pse në të gjitha sondazhet e fundit partia e tij lufton për pozitën e tretë.

Javën e kaluar janë dorëzuar nënshkrimet nga AAK-së, PSD-së, Nismës, LDK-së e Vetëvendosjes.

22 gushti do të shpërndajë Kuvendin e Kosovës, derisa vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Fillimisht votohet për marrëveshjen IPA. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart