PDK-ja e bojkoton Vjosa Osmanin pasi zhvendosi fotografinë e Thaçit nga zyra - Gazeta Express
string(73) "pdk-e-bojkoton-vjosa-osmanin-pasi-zhvendosi-fotografine-e-thacit-nga-zyra"

PDK-ja e bojkoton Vjosa Osmanin pasi zhvendosi fotografinë e Thaçit nga zyra

Gazeta Express

06/02/2020 11:33

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur ta bojkotojë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi që kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvendosur fotografinë e Thaçit nga zyra e saj në Kuvend.

Një gjë të tillë e ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza. Sipas tij, inspirim duhet të gjendet në hapësira private dhe se institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj.

Lexo Edhe:

Hamza, gjithashtu, ka thënë se Kadri Veseli gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Kuvendit e ka trajtuar me kujdes fotografinë e ish-presidentit Rugova.

“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë Hamza.

Ai tutje ka thënë se PDK-ja kërkon që fotografia zyrtare e Thaçit të trajtohet sipas ligjit dhe i kanë bërë thirrje Vjosa Osmanit të ndalojë veprimet, të cilat, sipas PDK-së, janë joligjore.

“Kërkojmë që fotografia zyrtare e presidentit të vendit z. Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në Institucione dhe të kontribuojë në rolin e saj që e ka të drejtë dhe obligim”, ka shtuar ish-ministri i Financave.

PDK-ja dhe partitë opozitare kanë bojkotuar edhe seancën kur është votuar Qeveria Kurti dhe, gjithashtu, edhe atë kur është zgjedhur Vjosa Osmani kryetar e Kuvendit.

Lidhur me largimin e fotografisë së Thaçit, ka folur edhe Vjosa Osmani e cila ka treguar se e ka zhvendosur në një hapësirë tjetër të Kuvendit. Ndërsa për fotografinë e Rugovës ka thënë se nga ai inspirohet. /Express/