Pazari i madh – si po i ndërrojnë zyrtarët partitë para zgjedhjeve të 6 tetorit


Arbër Jashari
17 Shtator 2019 15:00

Vendimi i Ramush Haradinajt për dorëheqje nga posti i kryeministrit për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë, më 19 korrik të këtij viti,  ndryshoi rrjedhën e skenës politike kosovare. Opozita që përfaqësohej nga Vetëvendosja dhe LDK-ja menjëherë u deklaruan që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Edhe AAK-ja e Nisma që ishin pjesë e qeverisë në kuadër të PAN-it ishin shprehur pro zgjedhjeve. Kurse PDK-ja e Kadri Veselit ishte më e rezervuar në deklarata rreth shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Gazeta Express

Më 26 gusht 2019, presidenti i Kosovës mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kështu duke dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së VI-të. Kurse e diela e 6 tetorit u caktua data për mbajtjen e zgjedhjeve.

Shumë anëtarë të partive politike, profesionistë dhe aktivistë të shoqërisë civile filluan aderimet nëpër parti politike për të shfrytëzuar mundësinë që të futen në listën për deputetë.

Vëmendje kanë marrë aderimet e politikanëve nga njëra parti në tjetrën, kështu duke kalkuluar mundësinë e tyre që të futen në Kuvendin e Kosovës si përfaqësues të popullit.

Shyqyri Bytyqi, ish-ministër i Arsimit dhe ish- anëtar i Nismës Social Demokrate të Fatmir Limajt, vendosi që t’i bashkohet një partie tjetër me emërtim socialdemokrat, PSD-së së Shpend Ahmetit.

Ahmeti e prezantoi aderimin e Bytyqit me një konferencë për media, duke e cilësuar si një ekspert të politikave tatimore.

“Ne me Shyqën nuk po fitojmë vetëm një reformator në arsim, por në PSD do të jetë personi kryesor për reformat e politikave tatimore”, kishte thënë Ahmeti.

Ish-ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i cili ishte edhe bartës i Listës Rugova së bashku me djalin e Presidentit Rugova Ukë Rugova iu bashkua partisë së Fatmir Limajt.

Gashi kishte konfirmuar këtë aderim për Gazetën Express me datë 23 gusht 2019.

““Po, jam anëtar i Nismës, kemi pasur bashkëpunim të ngushtë që sa kohë, me këtë parti”, kishte thënë Gashi.

Një tjetër ndërrim partish bëri edhe Jonuz Salihaj, ish-anëtar i AAK-së dhe ish-drejtor i Arsimit në Prishtinë.

Salihaj kaloi në PDK-në e Kadri Veselit, ku ky i fundit e prezantoi ish-anëtarin e AAK-së si luftëtar kundër nepotizmit.

“Jemi të lumtur që Jonuz Salihaj tani do ta japë kontributin e tij si pjesë e PDK-së në luftën tonë të pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit”, kishte deklaruar Veseli.

PDK-së së Kadri Veselit iu bashku edhe një ish-komandant i UÇK-së, Hisen Berisha.

Kalimi i tij në PDK u përfol shumë, pasi ish-komandanti i Koshares njihej për retorikën kundër PDK-së dhe afërsinë e tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe përkrahjen për presidentin Ibrahim Rugova dhe vijën institucionale të luftës.

Veseli së fundi e mori edhe një tjetër anëtar të LDK-së, kësaj partie iu bashkua biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi.

Aderimi tjetër ishte ai i Gent Begollit ish-anëtar i AAK-së, i cili kaloi tek AKR-ja e Behgjet Pacollit.

Partia e Ramush Haradinajt në muajin korrik të këtij viti ia mori Fatmir Limajt anëtarin e partisë së tij, ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani të cilin Nisma e kishte shkarkuar nga ky post.

E në AAK aderoi edhe këngëtari Labinot Tahiri-Labi, i cili mandatin e kaluar ishte zgjedhur deputet me partinë e Behgjet Pacollit por që pas një viti kishte dhënë dorëheqje nga grupi parlamentar i AKR-së për të vazhduar si deputet i pavarur.

AKR-në e Behgjet Pacollit e braktisi edhe nënkryetari i parë i saj, Agim Bahtiri.

Bahtiri i cili mban postin e kryetarit të Mitrovicës kaloi në Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së aderimit tha fjalë të mëdha për kryetarin e qytetit të minatorëve.

Kurti tha se Kosova është me fat që ka kryetar Agim Bahtirin në Mitrovicë.

“Mitrovica është qyteti ku zhvillohet ekonomia dhe ku mbrohet shtetësia. Fati i Kosovës varet dhe matet në Mitrovicë. Prandaj besoj se jemi me fat që kemi Agim Bahtirin kryetar në këtë qytet”, kishte thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ia mori LDK-së ish-deputetin e saj në legjislaturën e fundit Shpejtim Bulliqin, i cili ishte njëri nga kundërshtuesit më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi.

Aderimet nëpër parti të ndryshe para zgjedhjeve nuk i shpëtuan as profesionistët e fushave të ndryshme dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Gazetarë, profesorë universitetesh, këngëtarë, e aktivistë të shoqërisë civile u prezantuan si prurje të reja nëpër partitë që do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në PDK kaloi kritikuesi i madh i kësaj partie, Migjen Kelmendi ish-rokeri i grupit “Gjurmët”, e një tjetër këngëtare e njohur iu bashkua partisë së Kadri Veselit në mars të këtij viti ajo është Eliza Hoxha.

Në PDK shkoi edhe Besa Ismaili, profesoreshë e Fakultetit të Studimeve Islame.

Vetëvendosjes së Albin Kurtit iu bashkua gazetari Mefail Bajqinovci, eksperti i ekonomisë, Hekuran Murati, si dhe kryetari i Bordit Ekzekutiv të Institutit për Politikat Evropiane (EPIK), Taulant Kryeziu.

Në AAK-në e Ramush Haradinajt aderoi profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës Afrim Hoti.

Pas dorëheqjes nga Nisma Socialdemokrate, gazetari Resul Sinani vendosi t’i bashkohet AAK-së për një rrugëtim të ri në politikë.

Kurse partia më e vjetër e skenës politike Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pasur prurje të reja.

Madje, kryetari i rizgjedhur i saj, Isa Mustafa, ishte shprehur se lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit, duke ironizuar me partitë e tjera.

“Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së”, kishte thënë Mustafa. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart