Pavarësisht akuzave, Huawei shet produkte me vlerë 107 miliardë dollarë


Gazeta Express
29 Mars 2019 10:16

Gjiganti kinez i telekomunikimeve, Huawei, ka njoftuar se shitjet e produkteve të kësaj kompanie gjatë vitit 2018 kanë qenë në vlerën e 107 miliardë dollarëve, pavarësisht fushatës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër firmës për shkak të akuzave se ajo paraqet kërcënim për sigurinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete tjera i kanë vendosur kufizime kompanisë “Huawei” për shkak të dyshimeve se lidhjet e saj me qeverinë kineze paraqesin kërcënim për sigurinë. Sidoqoftë, zyrtarët e kësaj kompanie kanë thënë se ata veprojnë në mënyrë të pavarur nga askush dhe kanë mohuar se produktet e tyre paraqesin rrezik për sigurinë e përdoruesve.

Kompania e nivelit botëror njoftoi se shitjet gjatë vitit 2018 janë rritur për 19.5 për qind në krahasim me vitin paraprak dhe kjo është ngritja më e madhe në dy vjetët e fundit. Sipas kompanisë, ky rezultat pozitiv është arritur falë shitjeve të mira të telefonave të mençur në Kinë.

Huawei është prodhuesi më i madh në botë për pajisje të telekomunikimit. Kompania po përballet me akuza të shteteve perëndimore për shkak të dyshimeve për sigurinë e produkteve të saj, të cilat përdorin rrjetin e gjeneratës së ardhshme, 5G.

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Zelanda e Re ua kanë ndaluar kompanive lokale që t’i përdorin prodhimet e Huaweit për ta instaluar teknologjinë e rrjetit 5G. Për më tepër, edhe disa shtete evropiane janë duke e shqyrtuar mundësinë e largimit të pajisjeve të Huaweit nga rrjetet e tyre, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart