Pastaj, pak xhentilecë


Arben Idrizi
20 Nëntor 2019 16:06

Qytetarët romë diskriminohen në jetën e përditshme në vend. Madje, edhe në rastet më paradoksale, nga taksistët dhe pronarët e lokaleve. Imagjinojeni pak, një taksist ilegal, që e mashtron shtetin e vet, që ka dalë, sipas tij, ta nxjerrë bukën e gojës me një veprim jo ligjor, e ka luksin të jetë aq racist sa të mos e marrë në taksi një qytetar “tjetër”, sepse rom. Sa të komplikuar të bën budallallëku!

Arben Idrizi

Ditëve të fundit ia kemi zënë frymën vetes me vetëlavdërimin për mikpritjen që i kemi bërë kombëtares angleze të futbollit. Në të vërtetë, edhe jemi lavdëruar nga të tjerët. Nuk është se nuk më pëlqente. Megjithatë, e kjo nuk më pëlqen aspak, e gjithë kjo e mbuloi pak a shumë edhe turpin që fshihej përfund. Do të thotë, e mbulonte racizmin e vërtetë që gëlon në ne ndaj komuniteteve etnike, ndaj të “tjerëve” që nuk i honepsim dot. Një shembull i kësaj marrëzie ishte pastaj edhe raportimi me mburrje për këngët e tifozëve anglezë kundër serbëve. Me racizëm kundër racizmit. Tepër raciste.

Kjo nuk e thotë gjithë të vërtetën.

Gazetarja e njohur kosovare, Serbeze Haxhiaj, ka sjellë këto ditë një artikull tronditës për një grua rome të dhunuar seksualisht gjatë luftës nga forcat serbe. Shehrije Balaj, sipas artikullit, ka vdekur vitin e kaluar, në dëshpërim dhe mjerim, e injoruar nga autoritetet kosovare që merren me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Asaj nuk i është dhënë fare statusi i viktimës. Megjithëse, në reagimet e organeve kompetente thuhet se nuk ka pasur fare aplikim për status nga ana e viktimës. Sidoqoftë, Balaj ka dëshmuar, në vitin 2013, për dhunën seksuale para një gjykate në Beograd, në procesin ndaj ish-komandantit të ushtrisë jugosllave, Toplica Miladinoviq dhe shumë personave të tjerë të akuzuar për krime luftë të kryera në fshatrat e Pejës, ku mbetën të vrarë së paku 100 civilë, më 1999.

Kjo e bën në të vërtetë viktimën e parë që flet publikisht për dhunimin seksual të pësuar gjatë luftës në Kosovë.

Për më tepër, dyshohet se ka mjaft gra të tjera të komunitetit rom dyfish të dhunuara, nga forcat serbe gjatë luftës dhe nga forcat shqiptare pas luftës. Mirëpo, frika nga pasojat tash i bën ato të mos kenë guxim t’i raportojnë rastet.

Ne jemi mësuar ta shohim dhe shesim veten vetëm si viktimë. E mira më e madhe në këtë rast do të ishte që institucionet tona dhe shoqëria jonë t’i inkurajojë të gjitha këto viktima të dhunës së pasluftës të dalin të rrëfejnë publikisht që pastaj fajtorët të dalin para drejtësisë.

Në të njëjtën kohë pashë një kronikë televizive që tregon se si qytetarët romë diskriminohen në jetën e përditshme në vend. Madje, edhe në rastet më paradoksale, nga taksistët dhe pronarët e lokaleve. Imagjinojeni pak, një taksist ilegal, që e mashtron shtetin e vet, që ka dalë, sipas tij, ta nxjerrë bukën e gojës me një veprim jo ligjor, e ka luksin të jetë aq racist sa të mos e marrë në taksi një qytetar “tjetër”, sepse rom. Sa të komplikuar të bën budallallëku!

Do të ishte e pa mend të pretendoja të kem zgjidhje për të ofruar. Bile nuk e kam asnjë të vetme. Megjithatë, ndonjëherë, gjithë dyshim mendja më shkon te shumë sosh.

Si në këtë rast: mbase pak njerzillëk nuk do të bënte keq. Përtej ligjeve, përtej hipokrizisë.

Xhentilecë. Këtë me gjasë do ta kërkonte edhe George Saunders, autori i romanit Lincoln in the Bardo. Në një ligjëratë të mbajtur në Syracuse University, me titullin Congratulations, by the way: Some Thoughts on Kindness (2014), (në italisht është botuar me një titull më impresionues: Egoizmi është i kotë, elozhe xhentilecës), u sugjeron të rinjve që pa e zgjatur, qysh nga ai moment (edhe pse në atë rast nuk është argument racizmi) të nisin të tregojnë xhentilecë përreth vetes. Të mos presin të bëhet vonë. Që një ditë të mos përfundojnë duke e akuzuar veten, duke u ndier si mos më keq, pse një ditë, kur mundnin dhe ishte fare e lehtë, nuk u treguan të njerëzishëm me tjetrin, nuk e trajtuan si qenie të barabartë dhe të respektueshme. Ndoshta për atë taksistin pa bukë goje që nuk dëshiron t’i fitojë 50 centë nga qytetari (sepse) rom, për familjarët tonë, për kolegët e punës, për të afërmit tonë, për të cilët, në bisedat e përditshme, termi i vetëm me të cilin u drejtohen është ai poshtërues (nuk do ta përdor assesi as për ta ilustruar), pra për të gjithë ne këta është vonë për këtë “edukim”. Por, besoj, nuk do të ishte vonë për fëmijët, pasardhësit tonë. Dikush duhet ta bëjë këtë dhe nëse është kështu, atëherë askush më mirë se shkolla nuk do ta bënte këtë. Me shpresën se arsimtarët nuk janë ne të tjerët (por nëse nuk do të ishin, edhe ne do të ishim ndryshe). Më tej, duke i investuar të gjitha forcat institucionale për t’iu ofruar shkollim fëmijëve të komuniteteve dhe atë, mbi të gjitha, në shkolla të përbashkëta me fëmijët shqiptarë.

Te fundit


Kthehu lart