Pas skandalit, jep dorëheqje ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara


Gazeta Express
10 Korrik 2019 14:46

Sir Kim Darroch, ambasador i Britanisë së Madhe në Uashington, i cili ka qenë në qendër të një lufte diplomatike mes dy shteteve për shkak të kritikave ndaj presidentit amerikan, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe.

Në një letër dërguar Zyrës së Jashtme, Darroch tha se pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, se ai është një “djalosh shumë budalla”, nuk mund të vazhdojë ta mbajë pozitën e ambasadorit.

“Pas publikimit të dokumenteve zyrtare nga kjo ambasadë, ka pasur shumë spekulime për pozitën time dhe periudhën kohore të mandatit tim. Unë dua t’iu jap fund këtyre spekulimeve. Gjendja e tanishme ma bën të pamundur që ta kryej rolin tim ashtu siç do të doja unë”, thuhet në këtë letër.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, tha se ka biseduar me ambasadorin Darroch dhe se i vjen shumë keq që ai e ka parë të arsyeshme që të japë dorëheqje nga pozita e tij.

Vendimi i këtij ambasadori për të dhënë dorëheqje do të jetë presion ndaj kandidatit konservator për kryeministër të Britanisë, Boris Johnson, pasi ai refuzoi t’i japë përkrahje ambasadorit gjatë një debate televiziv me rivalin e tij, Jeremy Hunt, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart