Pas shfuqizimit të task-forcës antikorrupsion, kryeministri Avdullah hoti, ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT’it dhe shefin e zyrës së BE’së në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për sundimin e Ligjit, raporton Express
Në takimin me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesin e BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog, është diskutuar lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, u takua me Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, me të cilët diskutoi bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Kryeministrit.
Tutje thuhet se Hoti ka shprehur vendosmërinë për të bashkëpunuar me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT’it.
“Kryeministri Hoti u shpreh i vendosur për të fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe tregoi gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në këtë drejtim me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT-it”, thuhet në njoftim.
Pak ditë më parë, Hoti ka shfuqizuar fatsk-forcën antikorrupsion e cila vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, vendimi i hapë rrugë institucioneve që të punojnë në përputhje me ligjet përkatëse.
“Ky është vendim i vitit 2010 që parashikon obligime që ka krijuar, që në fakt është ndarja e pushteteve. Kur është marrë vendimi për mandatin e EULEX-it, ka ndërruar plotësisht. Besoj që ky vendim i hap rrugë që institucionet të funksionojnë në bazë të ligjeve”, ka deklaruar Hoti.
Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë./GazetaExpress/