Pas shtyrjes së takimit në Paris, Gjermania me porosi të re për Kosovën e Serbinë


Gazeta Express
22 Qershor 2019 14:42

Edhe pse Samiti i Parisit është vendosur që të shtyhet dhe të mos mbahet më 1 korrik, siç është planifikuar, nga Qeveria Federale e kancelares gjermane Angela Merkel, bëjnë thirrje që të mos ndalen përpjekjet e mëtejshme për t’u rikthyer në dialog.

Besnik Veliu

Në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra e kancelares gjermane, thuhet bisedat e mëtejshme përgatitore janë të nevojshme.

“Bisedimet përgatitore shtesë do të jenë të nevojshme”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë gjermane në pyetjen e Express se a ka një afat tjetër kohor se kur mund të mbahet Samiti i Parisit.

Ndër të tjera ata kanë thënë se Gjermania dhe Franca pavarësisht shtyrjes së takimit në Paris, do të vazhdojnë të mbajnë lidhjet me Kosovën dhe Serbinë.

“Ne mund të konfirmojmë se takimi i caktuar për 1 korrik do të shtyhet. Sidoqoftë, Gjermania dhe Franca mbesin në kontakt të ngusht me Kosovën dhe Serbinë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Qeverisë gjermane.

Lidhur me shtyrjen e Samitit të Parisit ka folur dje edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili një gjë të tillë e kishte paralajmëruar qysh pas kthimit nga takimi i 6 qershorit me Angela Merkelin në Berlin.

Ai në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, kishte thënë se Kosova është e përgatitur për temat që do të diskutojë dhe se askush nuk mund të drejtoj gishtin për përgjegjësi në rast të dështimit të Samitit të Parisit.

Ndërsa dje kishte dhënë detaje shtesë se përse po shtyhet Samiti. Haradinaj në një konferencë për media nga zyra e partisë së tij në Prishtinë, ka thënë se më datë 2 korrik do të zgjedhet presidenti i ri i Bashkimit Evropian dhe se më 5 korrik do të jetë një Samiti i Poznanit, dhe sipas tij është shumë e vështirë që të përcillet një dinamik kaq e madhe takimesh për një kohë kaq të shkurtër.

“Kemi informata që do të shtyhet. Në fakt me dy korrik zgjedhet presidenti. Dhe ata e kanë shumë të vështirë që të jenë në dy ngjarje. Pastaj me 5 korrik, do të jetë Samiti i Poznanit ku do të jemi. Pra shumë shtirë me i mbajt tri ngjarje në këtë dinamikë, por ka edhe arsye tjera”, ka thënë të premten  Haradinaj.

Për dështimin e Samitit të Parisit kanë folur edhe nga zyra e nikoqirit, presidentit të Francës, Emanuel Macron, ndërsa nga Serbia kanë ardhur akuza të ndryshme në drejtim të Kosovës, duke thënë se Ramush Haradinaj është përgjegjës se pse takimi në kryeqytetin francez ka dështuar.

Këto deklarata i ka bërë shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ndërsa kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, ka thënë  e anulimi i një takimi të tillë nuk është lajm i mirë as për Serbinë e as për Kosovën.

Por Haradinaj sheh diçka pozitive nga shtyrja e takimit. Ai thotë se tashmë gjërat janë qartësuar, dhe se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbetur vetëm një temë për t’u diskutuar.

Kryetari i Qeverisë thotë se tashmë temë diskutimi në tavolinë mes Beogradit dhe Prishtinës, ka mbetur vetëm çështja e njohjes reciproke, dhe në momentin që Serbia është e gatshme ta njohë Kosovën atëherë do t’i rikthehen dialogut.

Para se të bëhej e ditur se Samiti i Parisit do të shtyhet, një delegacion kosovar i përbërë nga Avni Arifi dhe Selim Selimi, janë takuar në Berlin me Marko Gjuriqin dhe përfaqësues të BE-së, Gjermanisë e Francës. Megjithatë ende nuk dihet nëse ky takim në Gjermani, ishte determinues për shtyrjen e Samitit të Parisit./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart