Pas përplasjeve Nisma – AAK, Haradinaj e pret në zyrë Fatmir Limajn


Gazeta Express
11 Korrik 2019 14:21

Vetëm pak ditë pas përplasjes ndërmjet Muharrem Nitajt të AAK-së dhe Haxhi Shalës së Nismës dhe pas raportimeve për ftohje të raporteve mes dy partnerëve të koalicionit, kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kreu i AAK-së, e ka pritur në Kryeministri kreun e Nismës, Fatmir Limaj.

Ndonëse nuk kanë zbuluar shumë detaje nga takimi, Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike.

“Takim pune me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe për të bashkërenduar agjendën qeverisëse”, ka shkruar Haradinaj.

Përplasja ndërmjet dy deputetëve të dy partive kishte nisur kur Muharrem Nitaj kishte thënë se po flitet që Nisma do t’i bashkohet PDK-së.

Ndaj këtyre fjalëve kishte reaguar deputeti i Nismës, Haxhi Shala, i cili kishte thënë se “veç në Kosovë ndodh që një deputet shërbehet me fjalë të çarshive”.

Ndryshe Nisma e Fatmir Limajt është shprehur e gatshme të bisedojë me opozitën edhe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka thënë shefi i deputetëve të Nismës, Bilall Sherifi. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart