Pas ndryshimit të emrit, Presidenti Pendarovski dhe Ministrja Sheqerinska presin anëtarësim të shpejtë në NATO


Gazeta Express
18 Gusht 2019 15:43

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski nga Ohri, ku sot u shënua Dita e Ushtrisë, tha që pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut është në vetëm një hap drejt këtij qëllimi strategjik.

Pa specifikuar nëse kjo do të ndodhte deri në fund të këtij viti, Pendarovski tha se anëtarësimi në Aleancë është një nga faktorët më të mëdhenj koheziv në shoqërinë e Maqedonisë, të mbështetur nga të gjithë faktorët politikë përkatës dhe shumica dërmuese e qytetarëve të të gjitha etnive.

Por, nuk harroi të kujtojë edhe një herë se është e nevojshme të kthehet besimi në shtet dhe institucione.

“Me anëtarësimin në NATO, përgjegjësia jonë si për qytetarët ashtu edhe për aleatët do të rritet. Sundimi i ligjit është një kusht i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe zhvillimin e një shoqërie të lirë. Kjo është arsyeja pse përparësia jonë absolute është ta ngremë sundimin e ligjit në vlerën tonë më të lartë dhe ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet dhe shtetin. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i aleatëve tanë të NATO-s. Rruga drejt NATO-s është përshkuar përmes reformave të vështira, investimeve personale dhe angazhimit maksimal të brezave dhe brezave të pjesëtarëve të forcave të armatosura” tha Stevo Pendarovski,president..

Pendarovski, ndërkohë, tha që se do të angazhohet që nga PBB-ja vendore t’i ndahen 2% ushtrisë duke arritur këtë qëllim deri në vitin 2024, por edhe për të përmirësuar standardin profesional dhe të jetës së ushtarëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, tha se viti i kaluar ishte viti në të cilin u krye faza më e suksesshme e rrugës për në NATO. Por, edhe ajo në fjalimin e saj, që ishte plot lëvdata për atë që ka bërë si ministre, nuk tha nëse anëtarësimi i plotë do të ndodhë deri në fund të vitit 2019 ose jo.

“Tashmë jemi duke numëruar ditët deri në anëtarësimin e plotë në NATO dhe po i bëjmë përgatitjet përfundimtare. Ne po i ndryshojmë ligjet kryesore dhe po i aplikojmë standardet dhe rregullat e NATO-s. Kishim mundësi të gjithë ta zgjidhnim rrugën më të lehtë, ti anulonim ambiciet, të vendosnim për të menaxhuar pritjet, të krijojmë një tërheqje dhe të përsërisim se për të duhet kohë. Kishim mundësi, por nuk e bëmë atë. Alternativa për anëtarësimin në NATO nuk ishte një mundësi, asgjë më pak se arritja e qëllimit tonë strategjik afatgjatë nuk ishte e pranueshme. Ne e dinim se nuk kishim të drejtë të gabonim, sepse një vit i humbur, do të na kushtonte dhjetë vjet tjera të humbura” pohoi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes.

Në ditën kur Ushtria feston ditëlindjen e saj të 27-të, pavarësisht ndryshimit të emrit në Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në uniformat e ushtarëve ende mungon emri i ri i ushtrisë.

Sipas informacioneve të Alsatit, ende nuk kanë shënime të reja, ndërsa të vjetrat janë ndaluar të mbahen me urdhër. Situata sipas informacioneve tona është gati një muaj, apo pas nënshkrimit të dekretit të Presidentit Pendarovski për ndryshimin e emrit të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë në Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ushtria e Maqedonisë është ende pjesë e shumë misioneve ushtarake ndërkombëtare jashtë vendit, dhe është njoftuar se vendi do të jetë pjesë e misioneve kryesore të BE-së dhe NATO-s.

Te fundit


Kthehu lart