Pas dy golave me Kosovën, Muriqi synon t’ia bëjë sefte në Serie A - Gazeta Express
string(63) "pas-dy-golave-me-kosoven-muriqi-synon-tia-beje-sefte-ne-serie-a"

Pas dy golave me Kosovën, Muriqi synon t’ia bëjë sefte në Serie A

Gazeta Express

16/11/2020 16:20

Sulmuesi prizrenas hasi në vështirësi në fillim të eksperiencës në Lazio, por e riktheu buzëqeshjen në dy ndeshjet me Kosovën, ku e gjeti golin ndaj Shqipërisë dhe ndaj Sllovenisë. Tash, 26 vjeçari synon të zhbllokohet edhe në Serie A

Vedat Muriqi e ka treguar në dy ndeshjet e fundit të Kosovës se sa vlen, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sulmuesi kosovar i realizoi dy gola, një kundër Shqipërisë në miqësore dhe një tjetër ndaj Sllovenisë në Ligën e Kombeve mbrëmë.

Edhe pse Kosova i humbi të dyja ndeshjet, e rëndësishme për sulmuesin prizrenas ishte të zhbllokohej pasi po i mungonte goli që prej arritjes së tij në Lazio.

Në 284 minuta të zhvilluar në kampionatin italian dhe në Ligën e Kampionëve, ish-futbollisti i Fenerbahçes e kishte vetëm një rast për të shënuar, atë kundër Juventusit.

Një top i Milinkovicit nuk u arrit nga përfaqësuesi kosovar.

Sidoqoftë, një lajm i mirë për Lazion është se po kthehet Muriqi i dikurshëm, i cili shënonte pothuajse në çdo ndeshje.

Tash, pasi shkëlqeu me “Dardanët” (edhe pse e ka edhe një ndeshje për ta zhvilluar të mërkurën ndaj Moldavisë), Muriqi synon ta gjejë golin edhe në Serie A.

Trajneri Simone Inzaghi dhe tifozët kanë ende besim tek gjiganti kosovar, i gjatë 195 centimetra.

Muriqi ka thënë se i nevojitet kohë për ta treguar veten edhe tek Lazio pasi ishte përballur me një lëndim dhe më pas ishte prekur nga koronavirusi.

Dhe, duket se tashmë ka ardhur koha dhe Muriqi mund të shpërthejë në Serie A qysh këtë fundjavë. /Gazeta Express/