Pas Bundesligës, Bayerni fiton edhe titullin e Kupës së Gjermanisë


Gazeta Express
25 Maj 2019 21:59

Bayern Munichu ka arritur ta kthejë në “Allianz Arena” trofeun e Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, pasi siguroi fitore me rezultat 3:0 në përballjen me Leipzigun në finale.

Bavarezët nuk e kishin fituar titullin e Kupës që nga sezoni 2015/16, mirëpo këtë sezon ata e arritën këtë sukses, duke triumfuar në DFB-Pokal për të 19-tën herë në histori, raporton Gazeta Express.

Bayerni tani e ka thyer rekordin e vet për më së shumti tituj të DFB-Pokal në histori, pasi që i ka grumbulluar plot 19 tituj të kësaj gare, duke i lënë shumë prapa vetes klubet e tjera. Klubi i dytë më i suksesshëm në këtë garë është Werder Bremeni, me gjashtë trofe.

Rrugën drejt këtij suksesi, Bayerni e nisi në finale me golin e shënuar nga Robert Lewandowski qysh në minutën e 29-të të ndeshjes. Këtë gol e asistoi David Alaba.

Në pjesën e dytë, Bayerni arriti ta dëshmojë veten edhe më shumë, pasi që dy golat e tjerë (Kingsley Coman 78’, Lewandowski 85’) ia siguruan fitoren bindëse me rezultat 3:0.

Vetëm disa ditë më parë, Bayerni u shpall edhe kampion i Bundesligës për të shtatën herë radhazi, pas një betejë të ngushtë me Borussia Dortmundit përgjatë gjithë sezonit.

Ky sezon kishte nisur në mënyrë mjaft zhgënjyese për Bayernin, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, kampioni gjerman u kthye fuqishëm në pjesën e fundit të sezonit dhe arriti ta mbyllë këtë vit me dy trofe.

Megjithatë, as këto dy trofe nuk pritet të jenë të mjaftueshme për Niko Kovacin që ta mbajë pozitën e trajnerit, pasi që Goal.com raportoi se çfarëdo rezultati në këtë ndeshje, kroati do të shkarkohet këtë verë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart