Paraliza e gjumit, simptomat e para dhe personat që janë më të rrezikuar nga ky çrregullim


Gazeta Express
10 Korrik 2019 11:13

Jeni zgjuar në mes të natës, me bindjen se një fuqi mbinatyrore është duke ju shtyrë të bëni gjëra. Ju tentoni të lëvizni dhe të ikni, mirëpo trupi juaj nuk është i aftë. Tentoni të bërtisni por nuk keni zë. Të gjitha këto mund të tingëllojnë si një film horror, mirëpo në të vërtetë janë simptoma të paralizës së gjumit.

Ky çrregullim i gjumit është ende temë misterioze dhe e panjohur për shkencëtarët dhe prek shumë njerëz.

Ky çrregullim përfshin disa simptoma që paraqiten në formë të halucinacioneve. Një person që përjeton paralizë të gjumit e ndjen prezencën e një fuqie mbinatyrore, e ndjen një shtypje të fortë në abdomen apo gjoks dhe mendon se është duke fluturuar ose duke lëvizur.

Sipas një studimi të publikuar në “Journal of Sleep Research”, paraliza e gjumit zakonisht ndodh në minutat e parë pasi ju zë gjumi, ose pak minuta përpara se një person të zgjohet.

Mirëpo, çfarë ndodh në trup gjatë këtij përjetimi? Si fillim, gjatë kësaj periudhe trupi kalon në fazën e paralizës, ku të gjithë muskujt janë të paralizuar dhe nuk kanë aftësi për të lëvizur. Arsyeja e kësaj paralize ende është e panjohur për shkencëtarët dhe mekanizmi i saktë ende nuk është zbuluar. Sipas një teorie thuhet se paraliza e muskujve ndodh për qëllim mbrojtjeje, me qëllim që të mos e lëndojmë veten si shkak i përgjigjes automatike të trupit ndaj një ëndrre të dhunshme.

Sipas raportimeve, 7.6% e njerëzve në botë kanë përjetuar së paku një herë paralizën e gjumit. Njerëzit që janë më të rrezikuar nga ky çrregullim janë ata që bëjnë gjumë të çrregullt, ata që flenë shumë ose e kundërta.

Ekzistojnë disa metoda me anë të së cilave thuhet se mund të parandalohet kjo gjendje. Disa nga to janë: mos u shtrini në shpinë, shmangia e çdo stimuluesi qoftë alkool apo kafe përpara se të flini, meditimi dhe relaksimi i muskujve si dhe gjumi i rregullt.

Nëse ky çrregullim vazhdon të përsëritet atëherë është e këshillueshme të vizitoni mjekun dhe t’i nënshtroheni terapisë së nevojshme. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart