Paqartësi rreth marrjes së datës për negociata me Bashkimin Evropian


Gazeta Express
15 Tetor 2019 11:56

Është i paqartë deri në fund vendimi për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi që Franca javën e kaluar parashtroi propozim për metodologji të re në negociatat inkuadruese për anëtarësim në BE që do të shqyrtohet në takimin ministror në Luksemburg, me çka sërish mund të shtyhet vendimi për hapje të negociata për Maqedoninë e Veriut.

Pas takimit të mbrëmshëm të ambasadorëve në Luksemburg, nuk ka përparim në pozitat e vendeve-anëtare të BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Me atë vendimi zhvendoset për sot në Këshillin për punë të përgjithshme në nivel të shefave të diplomacive që mbahet në Luksemburg.

Megjithatë, edhe përkundër skenarëve të pasigurt, kreu shtetëror shpreh optimizëm për vendim të qartë për fillim të negociatave, se Unioni nuk guxon ta dënojë shembullin më të mirë në Ballkan, me argumente se vendi 14 vite e gjysmë është vend-kandidat për anëtarësim, ka edhe përparim të madh në reforma, i njohur edhe nga vetë vendet-anëtare.

Kryeministri Zoran Zaev, duke e komentuar ambientin në prag të samitit të Këshillit të Evropës mbrëmë deklaroi se qeveritë e Gjermanisë dhe Francës do të ketë takim të përbashkët, sipas të gjitha gjasave, të mërkurën.

“Mbetem fuqimisht i bindur se do të marrim datë për negociata. Nesër fillon Këshilli ministror ku do t’i kuptojmë indikacionet e para, ndërsa më 17 dhe 18 tetor do të mbajë mbledhje Këshilli i Evropës. Mbetem fuqimisht i bindur se ne do të marrim datë, respektivisht vendim për fillim të negociatave, me të cilin definitivisht edhe ato aspirata të Francës për imponimin e metodologjisë së re, me të cilën do t’u jep mundësi korrekte të gjitha vendeve që negociojnë ose do të negociojnë, siç jemi ne, të kenë mundësi dhe nëse kanë performansa të mira, të arrijnë të shkojnë përpara, ndërsa nëse disa prej performansave ngecin, atëherë le të kthehen prapa. Ky është ai diskutim që po zhvillohet. Nuk ka vend që gjatë 20 viteve të fundit më shumë ka merituar se Republika e Maqedonisë së Veriut ta marrë këtë datë për fillim të negociatave”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev mbrëmë në Manastir.

Vlerësoi se vendi i ka të gjitha argumentet për të marrë vendim pozitiv nga Këshilli i Evropës.

“Nuk dëshiroj as të mendoj se a do të marrim datë. Pesëmbëdhjetë vite presim, sollëm vendime të mëdha, reforma, marrëveshjet janë përfunduar 100 për qind, me të vërtetë jemi shembull për tërë rajonin. BE-ja nuk guxon të lejojë ta dënojë më të mirin në kontinentin evropian sepse kjo është me rëndësi për BE-në, për rajonin, për motivimin e ardhshëm të liderëve të cilët duhet të gjejnë zgjidhje dhe t’i reformojnë shoqëritë e tyre”, tha Zev.

Duke e komentuar takimin e mbrëmshëm të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, Emanuel Makron, Zaev tha se beson që do të ketë konkludim të përbashkët dhe se do të mbisundojë përgjegjësia nga ana e BE-së para Këshillit evropian të sillet vendimi i shumëpritur për fillim të negociatave.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani pret vendim të qartë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, sepse, siç thotë, ky është epilogu i vetëm i duhur për këtë proces që nuk ishte i bazuar në ura politike. Pritjet, siç theksoi zëvendëskryeministri janë të mëdha dhe kjo është e natyrshme, sepse ky nuk është proces të cilin e filluam dje, por është proces në të cilin punojmë tashmë 19 vite.

Osmani sot niset për në Luksemburg dhe Bruksel, për konsultime dhe bisedime të fundit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe vendet – evropiane të Unionit, ndërkaq në prag të Takimit ministror për punë të përgjithshme (GAK), ku në rend dite do të gjendet vendimi për fillim të negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov mbrëmë foli para komisionit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian, ku kërkoi nga BE-ja ta përmbushë premtimin për hapje të negociatave për anëtarësim, të dhënë në qershor të vitit 2018.

Dimitrov theksoi se nëse këtë javë nuk ka vendim pozitiv për fillim të negociatave aderuese me Unionin, “nuk do të jetë lehtë” të vazhdohet me energjinë e njëjtë politike në vend, por edhe se kjo do të thotë dëshpërim i madh për vetë qytetarët.

Ai ka shprehur përkrahje edhe për kërkesat e Francës për ndryshim të metodologjisë për procesin aderues.

Ministri përkujtoi në rëndësinë e sinjalit për fillim të negociatave për tërë rajonin dhe kredibilitetin e unionit në të njëjtin.

Shpresë se Këshilli i Evropës do të japë dritë të gjelbër për fillim të negociatave inkuadruese me Unionin, shprehi edhe presdienti Stevo Pendarovski në deklaratën për gazetën greke “Etnos”, duke potencuar se vendimi i këtillë do të ishte dinjitoz dhe mirënjohje për përpjekjet që i bëri shteti.

“Sinqerisht shpresoj dhe pres se do të ketë vendim pozitiv nga Këshilli i Evropës për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedave aderuese, që në periudhën që vijon të bëhet anëtare e BE-së”, tha presidenti Pendarovski.

Presidenti vlerësoi se ky do të jetë vendim, të cilin e vlerësojmë si dinjitoz, po edhe mirënjohje për të gjitha përpjekjet që shteti i ka bërë në vitet e fundit, si në sferën e reformave të brendshme, ashtu edhe për çështjen shumëvjeçare me emrin e Greqisë, duke arritur në vendimin historik që e hapi rrugën për të ardhmen e përbashkët evropiane të të dyja shteteve.

Te fundit


Kthehu lart