Papa Françesku viziton Bullgarinë, pritet ftohtë nga Kisha Ortodokse


Gazeta Express
5 Maj 2019 9:19

Papa Françesku do të arrijë në Bullgari të dielën për t’u takuar me komunitetin e vogël katolik dhe për ta vizituar një qendër refugjatësh pranë kryeqytetit të vendit, Sofia, si pjesë e një udhëtimi që do ta dërgojë atë edhe në Maqedoninë Veriore.

Vizita e Papa Françeskut do të analizohet hollësisht për shenjat që do t’i japë lidhur me situatën e marrëdhënieve mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse.

Papa është përpjekur vazhdimisht që t’i shuajë tensionet e vazhdueshme mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Në shkurt të vitit 2016, ai ishte takuar në Kubë me Patriarkun Kirill, i cili është kreu i Kishës Ortodokse Ruse.

Megjithatë, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare e ka refuzuar çdo mundësi për të bërë lutje së bashku me Papën. “Duam të theksojmë se shërbimet e përbashkëta të lutjeve janë të papranueshme sepse ligjet e shenjta nuk e lejojnë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën e Sinodit të Shenjtë.

Papa Françesku dhe Vatikani kishin shpresuar se mund të bëjnë lutje të përbashkëta për paqe në sheshin e Sofias më 6 maj.

Megjithatë, në vend të kësaj, Kisha Ortodokse do ta dërgojë një grup fëmijësh në këtë ngjarje, në të cilën do të marrë pjesë edhe një udhëheqës mysliman, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart