Pandemia rriti përdorimin e energjisë tek familjarët me 7.8% në 2020 - Gazeta Express
string(67) "pandemia-rriti-perdorimin-e-energjise-tek-familjaret-me-7-8-ne-2020"

Pandemia rriti përdorimin e energjisë tek familjarët me 7.8% në 2020

Shqiperi

Gazeta Express

04/03/2021 9:12

Pandemia e COVID-19 ndikoi tregun e energjisë duke ndryshuar përdorimin e saj mes segmenteve të caktuara. Tendenca e përdorimit më të lartë të energjisë nga ana e familjarëve të cilët për shkak të karantinës dhe kufizimeve janë detyruar të qëndrojnë më shumë në shtëpi u vu re gjatë vitit të shkuar. Ndërkohë që pati një ulje të përdorimit tek  konsumatorët biznes, aktiviteti i të cilëve u mbyll apo u kufizua sërish si efekt i pandemisë. Të dhënat e bilancit të energjisë të publikuara nga INSTAT konfirmojnë pikërisht këtë tendencë  në vend që është në fakt globale.

“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2020, arriti vlerën 5.959 GWh nga 5.960 GWh që ishte në vitin 2019.

Lexo Edhe:

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 7,8 %, duke arritur vlerën 2.964 GWh nga 2.750 GWh që ishte në vitin 2019, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u ul me 6,7 % duke arritur vlerën 2.995 GWh nga 3.210 GWh që ishte një vit më pare” thuhet në raportin e INSTAT.

Në tremujorin e fundit të vitit përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 12,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përdorimi nga konsumatorët familjarë u rrit me 15,7 %, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 9,5 %.

Prodhimi i energjisë

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u ul me 0,3 %.

“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 5.315 GWh nga 5.208 GWh energji të prodhuar në vitin 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 2,1 %.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 58,2 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,2 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,6 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), arriti vlerën 3.239 GËh nga 3.177 GËh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 2,0 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 963 GWh nga 770 GWh duke shënuar një rritje me 25,0 %” vlerëson INSTAT.

I njëjti dokument nënvizon se hidrocentralet publike, në vitin 2020, prodhuan 3.092 GWh nga 2.981 GWh të prodhuar në vitin 2019, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 3,7 %. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 2.191 GWh nga 2.205 GWh të prodhuar një vit më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 0,6 %.

Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2020, ka pësuar një rritje me 5,4 % krahasuar me vitin 2019.

Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 1.632 GWh nga 1.653 GWh duke shënuar kështu një rënie me 1,3 %. Humbjet në transmetim janë rritur me 2,1 % dhe pesha që zënë në totalin e humbjeve në rrjet është 10,6 %.

Humbjet në shpërndarje zënë një peshë më të madhe, rreth 89,4 % të humbjeve në rrjet dhe kanë rënë me 1,7 %, krahasuar me vitin 2019./Monitor