Mijëra indianë janë incizuar duke hedhur bajga lopësh në drejtim të njëri-tjetrit si pjesë e një festivali vjetor për ta shënuar vitin e ri hënor.
Festimi, i njohur si “Pidakala Samara”, u mbajt në fshatin Kairuppala të mërkurën, një ditë pas festimit të vitit të ri hënor, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Sipas një legjende, kjo ditë shënon një mosmarrëveshje mitologjike në martesë mes dy hyjnive, e cila ishte zgjidhur nga të moshuarit e fshatit. Fshatarët besojnë se shënimi i kësaj dite do t’u sjellë paqe, shëndet dhe mirëqenie.
Autoritetet e vendit e lejuan grumbullimin me shumë njerëz e pa distancë mes vete pavarësisht shkallës së lartë të infeksioneve. Gjatë 24 orëve të fundit, India regjistroi mbi 200.000 raste të reja me Covid-19 dhe më shumë se 1.000 të vdekur.
Dr.Shashank Joshi, i cili po e udhëheq luftën kundër pandemisë në qytetin më të prekur indian, Mumbai, tha se rritja e numrit të rasteve është si një cunami që e ka zënë qeverinë tërësisht të pavëmendshme.
Ai tha se sistemi shëndetësor është afër stërngarkimit. Spitalet po kërkojnë ilaçe thelbësore, përfshirë oksigjenin mjekësor, për t’i mbajtur pacientët gjallë.