Palmer: Të arrihet marrëveshje e drejtë që mund të “shitet” edhe në Kosovë edhe në Serbi


Gazeta Express
11 Qershor 2019 14:51

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Mathew Palmer, ka thënë se SHBA-ja dëshirojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur, por thotë se një gjë e tillë është në dorën e Prishtinës dhe Beogradit.

Ai thotë se nuk i takon SHBA-së që të caktojë kornizat e marrëveshjes, duke shtuar se marrëveshja që mund të arrihet duhet të jetë e drejtë që t’i kënaqë dy palët, në mënyrë që të “shitet” në të dy shtetet.

“Dëshirojmë të shohim proces, diçka që do të sillte marrëveshje të përhershme e të drejtë, i cili do të mund t’i “shitej” opinionit në të dy anët, ka thënë Palmer.

Sipas Palmerit, u takon liderëve në Kosovë dhe Prishtinë që të caktojnë kushtet e angazhimit, sasinë e negociatave dhe që të angazhohen bashkërisht për të gjetur zgjidhje që do të ishte e pranueshme për njëra-tjetrën.

Ai ka ripërsëritur se nuk ka afat kohor brenda të cilit duhet të arrihet marrëveshja, por ka theksuar se Uashingtoni do të dëshironte që kjo të ndodhë sa më parë të jetë e mundshme.

“Bashkësia kombëtare ose SHBA-ja në asnjë moment nuk do të heqin dorë nga kjo. Jemi të përkushtuar partneritetit me Serbinë, me Kosovën, dhe jemi të gatshëm për aq sa të jetë e nevojshme të punojmë me liderët në mënyrë që ata të realizojnë qëllimet e veta, ka sqaruar Palmer.

Ai nuk ka dashur të hyjë në atë që për SHBA-në do të ishte zgjidhje plotësisht e papranueshme në dialogun midis Beogradit e Prishtinës. Por ka thënë se çdo gjë që do të thoshte zhvendosje me dhunë të popullsisë kundër vullnetit të tyre, SHBA nuk do ta pranonte.

Por, as nuk besoj se në procesin e negociatave bisedohet për mënyrë të tillë, ka thënë Palmer dhe ka shtuar se SHBA mbështesin dialogun nën ombrellën e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve.

Do të ishte mirë që këtë ta bëjnë edhe kryeqytetet e tjera evropiane, ka vlerësuar Palmer, i cili e kupton se Gjermania dhe Franca janë të angazhuara në drejtim të mbështetjes së dialogut nën ombrellën e BE-së.

Ai ka thënë se SHBA përshëndet mbajtjen e samitit të Berlinit në prill, ashtu sikurse edhe atë të ardhshmin në Paris, në muajin korrik.

Shpresojmë se palët do të shfrytëzojnë rastin për gjetjen e terrenit të përbashkët, arrijnë mirëkuptim të ndërsjellë për rrugën përpara dhe për udhëtimin drejt të ardhmes më të ndritshme, prosperuese evropiane”, ka thënë Palmer.

Nëse do të arrihet marrëveshja, atij “nuk i bën” se ku do të nënshkruhej dhe arsyeton se do të mund të nënshkruhet në Bruksel, Uashington ose “në pjesën e errët të Hënës”.

Me rëndësi është që të jetë marrëveshje efektive që do t’ju ndihmojë njerëzve në rajon për të realizuar aspiratat e tyre, është përgjigjur Palmer, i pyetur në lidhje me letrën e presidentit të SHBA, Donald Trump drejtuar liderëve të Beogradit e të Prishtinës se e gëzon që marrëveshja të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë.

Palmer, ndër të tjera, ka shprehur bindjen se është e mundshme që Beogradi e Prishtina do të gjejnë formulën që t’i kthehen procesit të dialogut dhe ka përsëritur dëshirën e Uashingtonit që ta mbështesë e lehtësojë.

E kuptojmë se taksat janë pengesë e dialogut; do të dëshironim që ato të hiqen. Kur të zgjidhet çështja e taksave dhe palët t’i kthehen dialogut, është me rëndësi që procesi të vazhdojë dhe të arrihet marrëveshja e ndërsjellë për rrugën përpara, ka thënë Palmer.

Palmerin e shqetësojnë tensionet në mes Beogradit e Prishtinës, sidomos ashpërsimi i tyre, ndërsa zhvillimet e paradokohshme në veri i sheh si aksione të zbatimit të rendit e të ligjit, meqë SHBA kanë kërkuar dhe kanë inkurajuar Kosovën që të luftojë kundër krimit dhe korrupsionit.

Janë shnjestruar zyrtarë të korruptuar, disa kanë qenë shqiptarë, disa serbë, disa boshnjakë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në veri, por në gjithë vendin, ka pohuar Palmer.

Ai ka shprehur dyshimin se Rusia dëshiron anëtarësimin e vendeve të rajonit, pra të Serbisë, Kosovës… në BE e në NATO, por që Ballkanin ta mbajë të përçarë, të ndarë nga institucionet evropiane, në kaos… transmeton Koha.net pjesë nga intervista e Palmerit dhënë agjencisë së lajmeve FoNet.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart