Pallaska: Deputetët të merren me vendimin e Kushtetueses rreth pandemisë sepse Kurti është i zënë me fushatë - Gazeta Express
string(107) "pallaska-deputetet-te-merren-me-vendimin-e-kushtetueses-rreth-pandemise-sepse-kurti-eshte-i-zene-me-fushate"

Pallaska: Deputetët të merren me vendimin e Kushtetueses rreth pandemisë sepse Kurti është i zënë me fushatë

Gazeta Express

02/04/2020 14:01

Avokati i njohur, Dastid Pallaska, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin në dorë cështjen e masave të luftimit të pandemisë COVID-19, pasi sipas tij tashmë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i zënë duke bërë fushatë.

Një reagim të tillë Pallaska e ka shkruar pasi Gjykata Kushtetuese ka shpallur si kundërkushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërkohë kanë dhënë afat deri më 13 prill që një vendim i tillë të ndryshohet dhe të jetë i pajtueshëm me Kushtetutën, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

‘Pasi që Kryeministri në ikje ka treguar qartë se është i gatshëm që edhe këtë çështje ta (keq)përdorë për fushatë zgjedhore dhe në betejen e tij personale me Presidentin, deputetët e kanë për detyrim që të shqyrtojnë mundësinë e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse si çështje urgjente nëpërmjet nismës legjislative”, ka shkruar Pallaska.

Sipas Pallaskës, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të merren me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Sëmndujet ngjitëse në mënyrë urgjende, pasi siç thotë ai, Kurti edhe një problematik të tillë po e shfrytëzon politikisht për konfliktin me presidnetin Hashim Thaçi.

Ai tutje thotë iniciativa për një nismë të tillë kundër pandemisë COVID-19, do të bënte që edhe deputetët e Kuvendit të bashkëpunojnë pavarësisht përkatësisë politike.

“Njëkohësisht, nisma legjslative e deputetëve për një çështje me interes publik do të mund të mund të shërbente edhe si mundësi për bashkëpunim të deputetëve përtej përkatësive të tyre partiake, duke filluar kështu shërimin e plagëve të përçarjes që i janë shkaktuar shoqërisë këto ditë nga politikanë të papërgjegjshëm”, ka përfunduar Pallaska.

Shkrimi i plotë i Pallaskës:

Masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese

Duke marrë parasysh që aktualisht kemi një Kryeministër në ikje që ekskluzivisht është i përqendruar në fushatë zgjedhore dhe i konsumuar nga konflikti i tij personal me Presidentin, është me rëndësi që deputetët e Kuvendit të marrin përsipër krijimin e bazës së mirëfilltë ligjore për zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Siç është sqaruar tanimë, Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat deri më 13 prill që masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 të sillen në përputhje me Kushtetutën. Pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse është i pamjaftueshëm për vendosjen e masave kufizuese në nivel vendi nga Qeveria, është fare e qartë se nevojitet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji nga Kuvendi.

Pasi që Kryeministri në ikje ka treguar qartë se është i gatshëm që edhe këtë çështje ta (keq)përdorë për fushatë zgjedhore dhe në betejen e tij personale me Presidentin, deputetët e kanë për detyrim që të shqyrtojnë mundësinë e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse si çështje urgjente nëpërmjet nismës legjislative.

Duke marrë parasysh urgjencën e kësaj çështje dhe afatin e shkurtër kohor për veprim që është lënë nga Gjykata Kushtetuese, deputetët mund të marrin një ligj të gatshëm si bazë për këtë nismë legjislative, siç është ligji gjerman për sëmundjet ngjitëse që paraqet një shembull të mirë se si dhe në çfarë shkalle mund të kufizohen të drejtat dhe liritë kushtetuese gjatë kohës së pandemisë.

Thënë këtë – pasi që nga përvoja e dy javëve të kaluara e kuptuam se ne jetojmë në një vend ku as shëndeti publik nuk kursehet nga fushatat politike dhe/apo betejat personale politike – është mirë që të shqyrtohet mundësia që vendim-marrja për vendosjen e masave për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse t’i besohet institucioneve të pavarura shëndetësore, siç është Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike.

Në këtë mënyrë shëndeti publik do të largohej përfundimisht nga kthetrat e politikanëve të papërgjegjshëm, që nuk kursejnë asgjë – e as shëndetin e qytetarëve – në garën e tyre të paskrupullt për përvetësim dhe mbajtje të pushtetit.

Njëkohësisht, nisma legjslative e deputetëve për një çështje me interes publik do të mund të mund të shërbente edhe si mundësi për bashkëpunim të deputetëve përtej përkatësive të tyre partiake, duke filluar kështu shërimin e plagëve të përçarjes që i janë shkaktuar shoqërisë këto ditë nga politikanë të papërgjegjshëm.