Pak operatorë të interesuar për leje për parkingje private automjetesh


load
Gazeta Express
9 Nëntor 2019 19:19

Vetëm një kërkesë për legalizim të parkingjeve private është dorëzuar në Komunën e Prishtinës, ani pse ka 10 ditë që është publikuar thirrja publike për këtë çështje.

Derisa interesimi i pronarëve të këtyre parkingjeve për t’u pajisur me leje vazhdon të jetë i vogël, këta të fundit kanë afat të aplikojnë deri më 15 dhjetor.

Rregullorja e re, të cilën Kuvendi Komunal e ka miratuar në gusht të këtij viti, përcakton një sërë kriteresh për legalizim të këtyre parkingjeve, raporton KTV.

Ardian Olluri, Drejtori i Urbanizmit në Prishtinë ka deklaruar se: “Cilido operator që nuk pajiset me leje deri në afatin e caktuar, do të gjobitet nga Inspektorati.”

Kompania “Bleri” është pronare e rreth 80 për qind të parkingjeve private në kryeqytet dhe deri më tani është e vetmja kompani që ka aplikuar për legalizim.

Kriteret e vendosura nga komuna, sipas përfaqësuesit të kompanisë, Blerim Shabani, janë të mirëseardhura.

Në anën tjetër, këshilltarët komunalë nga opozita dyshojnë se kjo rregullore do të respektohet.

Ndërsa, qytetarët duan që këto hapësira të rregullohen.

Nga 3 janari i vitit të ardhshëm fillon funksionimi i parkingjeve publike me pagesë në zonën 1 qendër.

Sipas rregullores së re, qyteti ndahet në katër zona të vend-parkingjeve.

Qendra e qytetit klasifikohet si zona më e shtrenjtë, me kohëzgjatjen më të shkurtër të lejuar të parkimit.

Zona e dytë përfshin hapësirën nga unaza qendër deri tek unaza e brendshme e qytetit.

Zona e tretë përfshin hapësirën jashtë unazës së brendshme, ndërsa rrugët e unazës qendër dhe unazës së brendshme janë të definuara me dokumente të planifikimit hapësinor.

Te fundit


Kthehu lart