Pack: Haga s’është arsye e vetme e largimit të Haradinajt, kryeministri i ri ta kundërshtojë ndarjen


Gazeta Express
23 Korrik 2019 16:00

Ka kaluar më shumë se një javë që Bashkimi Evropian i ka zgjedhur krerët e institucioneve të tij. Ndërsa në Kosovë, ka më pak se një javë që vendi është duke u udhëhequr nga një qeveri në largim. Ndërkohë, që Evropa i ka zgjidhur problemet e veta, Kosovës vetëm sa i janë shtuar e bisedimet me Serbinë janë bllokuar. Të gjitha këto zhvillimet në Evropë, politikania e njohur gjermane, Doris Pack, në një intervistë ekskluzive për Express, tha se i sheh si mjaft pozitive për vendin tonë, ndërsa ajo ka shprehur dyshimet e veta sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Edon Baliqi

Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte e papritur për të gjithë. Kur askush nuk e priste, ai në mbledhjen e qeverisë gjatë ditës së premte, njoftoi se Gjykata Speciale e ka ftuar për ta intervistuar si i dyshuar. E ky veprim, sipas presidentes së grupit të grave të Partive Popullore Evropiane (EPP), ka qenë një veprim të cilin nuk e ka pritur por e cilëson si korrekt.

“E kam thënë se reagimi i tij ka qenë mjaft korrekt, të cilin nuk e kam pritur” tha Pack.

E sipas saj, ftesa për intervistë mund të mos jetë e vetmja arsye, por që nuk dëshiron që të spekulojë ndonjë gjë.

“Duhet të jetë një arsye dhe lajme të reja për vendimin e tij, për të cilat unë nuk dua të spekuloj” shtoi Pack.

Ndërsa, në anën tjetër, ajo ka edhe disa vlerësime të mira sa i përket disa punëve të cilat i ka bërë Haradinaj gjatë kohës sa ishte kryeministër. Ajo duke folur për faktin se ndarja e Kosovës është agjendë e dy presidentëve, atij kosovar dhe serb, shtoi se e vlerëson qëndrimin e Haradinajt për kundërshtimin e kësaj ideje. E ajo e vlerëson tani se ideja e ndarjes nuk është, por ishte.

“Askush në Kosovë nuk do shkëmbim territorial – ishte vetëm agjenda e dy presidentëve në Kosovë dhe Serbi. E këtu, kryeministri dhe qeveria e tij kishin të drejtë ta kundërshtonin këtë ide” tha ajo.

Pack, e cila njihet edhe si përkrahëse e madhe e Kosovës në nivelin evropian, dha edhe mesazhe të qarta për këdo që do ta marrë drejtimin e vendit.

“Çdo lidership i ri duhet ta ndjek këtë (kundërshtimin e idesë së shkëmbimit të territoreve), sepse kjo nuk do të ishte zgjidhje, por do të krijonte probleme më të mëdha në tërë rajonin” tha ajo duke theksuar se “do të ishte kërcënim për paqen dhe stabilitetin”.

Ndërsa tani që negociatat janë të bllokuara dhe Bashkimi Evropian udhëhiqet nga tjerë politikanë, ajo tha se nuk ka rëndësi se nën vëzhgimin e cilit institucion do të mbahet dialogu, por me rëndësi është që të mbahet diku, e për të rëndësi të madhe ka edhe qasja franceze ndaj dialogut.

“Negociatat duhet të vazhdojnë; nën Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme apo jo. Shihet qartë që në mes është edhe një interes i fuqishëm i Francës në këtë temë, i cili do të jetë ndihmë e madhe së bashku me Gjermaninë” tha Pack për Express.

E pyetur për rolin e Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Joseph Borell, i cili do ta zë vendin e Frederica Mogherinit, Pack tha se ka punuar me të gjatë kohës sa ishte eurodeputete e Borell ishte president.

“E njoh Joseph Borrelin si një ish-koleg në Parlamentin Evropian, kur ai gjithashtu shërbeu për 2 vjet e gjysmë si president. Unë vetëm mund të shpresoj se ai do t’i gjykojë drejtë problemet me të cilat vendet në rajon po përballen” tha ajo, duke shtuar se bazohet në “eksperiencën që ai e ka gjatë atyre viteve sa punoi me mua dhe të tjerët” .

Por, e pyetur nga Express se cili mund të jetë qëndrimi i tij, t’i përmbahet BE-së apo Spanjës, Pack tha se ai duhet t’i ndjekë politikat evropiane sepse më nuk shërben në qeverinë spanjolle.

“Një komisioner i BE-së duhet t’i ndjekë politikat e BE-së dhe jo të jetë dorë e zgjatur e qeverisë së vendit i cili e dërgoi. Pra, jam e sigurtë, se ai do të veprojë në kontakt të vazhdueshëm me Presidenten e Komisionit dhe Komisionerët e tjerë që kanë detyrë zgjerimin” tha ish-eurodeputetja.

Ndërsa sa i përket presidentes së re të Komisionit Evropian, Pack tha se Ursula von der Leyen është e afërt me Merkel dhe se ka njohur të shumta për këtë rajonin.

“Von der Leyen – si një ministre që shërbeu gjatë në Gjermani dhe e afërt me Angela Merkel – ka shumë njohuri në këtë temë” ndërsa shtoi se “shpresoj, që ajo do të mundet t’i bindë anëtarët e ndryshëm të BE-së që ta trajtojnë Kosovën të paktën si të gjithë të tjerët dhe ta heqë regjimin e vizave. Ajo do të jetë shumë e dedikuar për zhvillime demokratike dhe paqësore në rrugën e të gjitha vendeve evropiane drejtë Bashkimit Evropian”.

Doris Pack, ka shërbyer si eurodeputete nga radhët e EPP-së, tani e mban postin e presidentes së grupit të grave të këtij grupacioni politik evropian.

Te fundit


Kthehu lart