Pacienti me ethe të Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive ende në gjendje të vështirë


Gazeta Express
21 Gusht 2019 12:28

Pacienti 66 vjeçar i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, i cili është hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ende është në gjendje të rëndë shëndetësore me manifestim në sistemin nervor qendror, deklaroi për MEDIAL-n drejtoresha e Klinikës Milena Stevanoviq.

I hospitalizuari tashmë 10 ditë gjendet për trajtim në sektorin për kurim intensiv të Klinikë Infektive, ndërsa sëmundja paraprakisht është diagnostikuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup.

“Nuk ka ndryshim të gjendjes shëndetësore të pacientit. Nuk ka progres. Presim të shohim sa do të arrijë të rehabilitohet pacienti. Nuk ka të infektuar të ri nga ethet e Nilit perëndimor”, tha dr Stevanoviq.

Ky është rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor këtë verë në vend, dhe është konfirmuar në mënyrë laboratorike në Qendrën për Shëndet Publik në Shkup.

Në Klinikën Infektive këtë sezon nuk janë regjistruar raste të dyshimta të infektimit që transmetohet përmes mushkonjave. Më shpesh kalon si ftohje, ndërsa te një përqindje e vogël manifestohet me pasqyrë të rëndë klinike.

Krahas spërkatjes kundër mushkonjave nga ana e institucioneve kompetente edhe shërbimet epidemiologjike edhe shërbimet tjera ndërmarrin aktivitete të rregullta dhe rutinore për parandalim dhe mbrojtje.

Te fundit


Kthehu lart