Pacientët me kancer në vështirësi, në QKUK mungojnë citostatikët për shkak të 'shpërndarjes së buxhetit' - Gazeta Express
string(101) "pacientet-me-kancer-ne-veshtiresi-ne-qkuk-mungojne-citostatiket-per-shkak-te-shperndarjes-se-buxhetit"

Lajme

Arbresha Berisha

27/01/2022 13:41

Pacientët me kancer në vështirësi, në QKUK mungojnë citostatikët për shkak të ‘shpërndarjes së buxhetit’

Lajme

Arbresha Berisha

27/01/2022 13:41

Pacientët me kancer që po trajtohen në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po ballafaqohen me mungesë të citostatikëve, të cilët janë ilaçe që pengojnë përhapjen e qelizave kancerogjene në trup. Trajtimi në këtë klinikë tashmë është bërë një barrë e rëndë për ta. Kjo për shkak se kohë pas kohe po ballafaqohen me mungesë të shumë barnave të nevojshme për trajtimin e tyre.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë kësaj jave është ballafaquar me mungesë të citostatikëve, që përdoren për mjekimin e pacientëve me tumore, të cilet duhet të ju nënshtrohen kimioterapisë.

Në këtë klinikë ku vetëm gjatë vitit të kaluar u trajtuarn 1 mijë e 626 pacientë, e u ofruan mbi 29 mijë terapi me citostatikë, furnizimi me citostatikë është mëse i nevojshëm.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi e ka konfirmuar për Express se gjatë kësaj javë janë ballafaquar me mungesë të citostatikëve.

Ai ka thënë se momentalisht kanë citostatikë vetëm për disa pacientë.

Kurtishi ka treguar se barnatorja qëndrore u ka thënë se këto mungesa po ndodhin për shkak të alokimit të buxhetit.

“Klinika e Onkologjisë që një javë është në mungesë të citostatikëve. Jemi në procedurë të marrjes, barnatorja qëndrore na ka thënë se është puna e alokimit të buxhetit. Kemi citostatikë, por disa hargjohen. Dikush e merr, dikush ka nevojë me marrë gjak, sipas indikacioneve”, ka thënë ai.

Kurtishi është shprehur se kanë pasur edhe shumë pacientë të cilët kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, andaj edhe ua kanë shtyrë trajtimin me citostatikë.

Ndërsa, ai ka deklaruar se presin që sot ose nesër të marrin furnizim.

 “Deri nesër ma merr mendja e alokojnë një pjesë buxhetin dhe furnizohemi. Ka pasur plot pacientë që kanë qenë me COVID që është dasht me i shty. Këto dy ditë normalizohemi dhe s’kemi problem”, ka deklaruar ai.

Sa i përket mungesës së furnizimit me citostatikë, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, institucion i cili ka për detyrë furnizimin e klinikave të QKUK’së me barna nga Lista Esenciale e Barnave, nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Ndërsa, një përgjigje nuk kanë pranuar ta japin as nga Ministria e Shëndetësisë.

Se ka mungesë të barnave e materialeve shpenzuese nga Lista Esenciale e Barnave e ka pohuar sot edhe vetë drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Krasniqi sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ka thënë se në periudha të ndryshme kohore kanë pasur mungesë të barnave, por që ato më pastaj i kanë kompensuar.

“Jemi të vetëdijshmë që në periudha të ndryshme, në afate të caktuara kohore, kemi pasur mungesa të herë pas herëshme por ato mungesa janë kompensuar qoftë në formë të donacioneve qoftë në ndërhyrje të institucioneve tjera që na kanë ndihmuar”, ka deklaruar ai.

Klinika e Onkologjisë tash një kohë të gjatë është duke u përballur herë pas here me mungesë të citostatikëve e barnave tjera për trajtimin e pacientëve me kancer.

Shumë nga barnat janë shumë të kushtueshme, gjë që edhe e rëndon barrën e pacientëve.