Paci, ose tortura e paqes - Gazeta Express
string(24) "paci-ose-tortura-e-paqes"

Arte

Donjeta Abazi

16/08/2022 16:39

Paci, ose tortura e paqes

Arte

Donjeta Abazi

16/08/2022 16:39

Njerëzit në videon e Pacit ikin, largohen, kafshët vrapojnë të lira, se për ku nuk dihet, destinacioni i njerëzve dhe i kafshëve mund të jetë i ndryshëm, ama kërkesa për paqe është e njëjta. Dikush paqen e gjen aty afër, mbase edhe nga ka ardhur, dikush për shkak të ‘rezultatit’ ikën për ta kërkuar paqen kilometra larg. Dhimbja e migrimit është se kërkesa për paqe nuk ndalet asnjëherë, luhatja mes kërkimit të paqes dhe mëdyshjes mos paqen po e lë aty ku e ka nisur rrugëtimin është torturë

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Adrian Paci ka kaluar vite duke shqyrtuar e rishqyrtuar se ç’ndjenjë është me bredhë nëpër botë. Duke punuar kryesisht me video e pikturë, ka zhbiruar se ç’do të thotë të largohesh e të kthehesh, të duash të largohesh por të përmbahesh, të largohesh e të tretesh, të mbetesh, të vendnumërosh, të baresësh.

The Wandereres (Endacakët), i vendosur në Shqipërinë rurale, kontraston dy mënyra të ecuri, dy mënyra të lëvizuri e të qeni. Ndërsa videoja bardhezi shfaq njerëz e kafshë që hyjnë e dalin kuturu nga kuadri me lëvizje të ngadalësuara, videoja me ngjyra jep një procesion të inskenuar njerëzish që qëllimisht hapërojnë në drejtim të shikuesit: drejt një qëllimi të panjohur, një vendi të panjohur. Tensioni ndërmjet dy përkohshmërive dhe grupeve të pamjeve e shkapërcen kontekstin shqiptar të veprës. Ai evokon figurën letrare ose filozofike të endacakut, qenie njerëzore e flakur në gjithësi, po aq sa evokon atë të mërgimtarit. (Nga katalogu i Manifestës)

Adrian Paci

I vendosur mes dy videove edhe një realiteti artisti Paci na servon para një shikimi disa minutash të realitetit të përzier mes artit dhe asaj që po ndodh, në fakt që ka ndodhur për vite e vite.

Tema e migrimit të shqiptarëve për shumë vite ka bërë artistin nga Shqipëria ta vendosë këtë fenomen në tablo të pastër, ama jo veç fakti pse Shqiptarët kanë ikur e kanë shtyrë artistin drejt realizimit të këtyre videove; ai edhe vetë ka qenë udhës, ka shkuar nga dhe është kthyer në Shqipëri.

Dy këto ngjarje të Pacit janë bërë bashkë për të shndërruar në dy elemente, dy video, njëra bardhë e zi tjetra me ngjyra.

Interesantja është që në videon bardhezi pothuajse shumicën e kohës është dimër, në tjetrën stina është e përzier, përkon me pranverën ose vjeshtën e hershme.

Mi(grimi)

Sepse nuk është veç art. Ikja masive e shqiptarëve është shndërruar në problematike për shumë kohë, është diçka jo shumë e lehtë për t’u përballuar, aq më pak të konsiderohet pa u vënë re.

Te të dy videot ka kafshë dhe njerëz. Ideja është që në videon e parë nuk ka një rregull të caktuar dhe kamera i ndjek, në të dytën kamera largohet, njerëzit hyjnë në rrugë dhe në skenë me rregull, pas disa sekondash.

Migrimi si problem, në ketë rast si art, është vështirë i konceptueshëm. Ajo që ka rëndësi është fakti që dikush pos problematikës është konfrontuar edhe me atë që e bën më së miri, artin e tij e ka bërë një me problemin.

Qetësia kaplon dhimbjen

Kur sheh videot të jepet një ndjesi qetësie, sikur e ndien çdo kali kur vrapon (kjo bëhet edhe në slow motion), sikur njerëzit që hyjnë në video ta relaksojnë syrin kur i sheh, ama problemi është që këta persona e çdo tjetër që ka hyrë aty personifikojnë ikjen. Ikja nuk shfaq qetësi, nuk të fal ndjesi të mira për syrin. Ikja vret në secilën familje, në secilin person, në secilën skutë të vendlindjes, në çdo profesion të lënë pa një profesionist, në krejt shoqërinë. Ikja nuk bëhet nga qejfi, ja pse dhemb.

Në videon e dytë futen njerëz të rëndomtë, dy fëmijë shokë, dy të moshuar, një grua e re, një e vjetër, një nuse, në video janë të gjitha llojet e njerëzve (me shkas). Ikja s’ka të bëjë me një person, me një status, as me moshën, me qëllimin po, qëllimi është i njëjti, rezultati nuk dihet. Është e dhimbshme kur gjen unitet në ikje, s’jemi refugjatë siç kemi qenë historikisht, jemi bërë refugjatë sepse jemi bërë. Migrimi sidomos i personave nga vendet rurale shndërrohet në torturë për pjesën më të bukur të asaj që e kemi si komb, natyrës. Ajo që vuan mes atyre që vuajnë është zona rurale, natyra, ‘njerëzit e tokës’ ikin sepse as për ta nuk ka rëndësi më nëse ikja dhëmb, më rëndësi është rezultati i ikjes.

A e ik ikja artin

Edhe po. Ai që e bën këtë video është ‘udhës’(ikës), ama është artist para se të jetë i tillë. Dhe nuk po flasim për një të tillë, ka shumë e shumë, jo veç artistë, por edhe të shumë fushave të tjera, janë larguar për një rezultat ndryshe. Artistët kanë ikur për një rezultat që nuk është veç inspirim për ta, ama edhe vlerësues i denjë i tij, është edhe mundësi më e madhe. Rezultati i të jetuarit përkon me idenë se veç te ne nuk është mirë, por përnjëmend a është?

Njerëzit në videon e Pacit ikin, largohen, kafshët vrapojnë të lira, se për ku nuk dihet, destinacioni i njerëzve dhe i kafshëve mund të jetë i ndryshëm, ama kërkesa për paqe është e njëjta. Dikush paqen e gjen aty afër, mbase edhe nga ka ardhur, dikush për shkak të ‘rezultatit’ ikën për ta kërkuar paqen kilometrave të largëta. Dhimbja e migrimit është se kërkesa për paqe nuk ndalet asnjëherë, luhatja mes kërkimit të paqes dhe mëdyshjes mos paqen po e lë aty ku e ka nisur rrugëtimin është torturë.

Dy përsiatje, dy video

Videoja e parë dhe e dytë, janë me qellim njëra me ngjyra e tjetra bardhezi, më qellim tek njëra ka rregull të futjes së personazheve e në tjetrën jo, me qellim në njërën ka dimër me shumë së në tjetrën, me qellim kamera në njërën video na ndjek në tjetrën i ndjek.

Përsiatja nuk është e lehtë, dyzimi kërkon përkushtim ama edhe energjia e mëdyshjes shndërrohet në ankth. A të ikim a të rrimë?

Shtojcë:

A të bëjmë art për migrimin?

Po të bëjmë, hajde bëjmë art për gjërat që kanë rëndësi kur flitet shqip, sepse duhet. Sepse ‘Manifesta 14’ ka ardhur tek ne jo veç për të na e bërë qejfin që kemi artistë, por edhe që kemi artistë që i vënë në pah problematikat, që revoltohen përmes artit, e edhe që luten për ndryshim. Sepse arti nuk është krijuar të bëhet në heshtje dhe të paraqesim ndryshimet në botë se ku ka mbërritur teknologjia, para kësaj arti është për t’iu treguar të tjerëve që kreativiteti kur bashkohet me revoltë e realitet godet nja dhjetë fish ma shumë.

/Gazeta Express