Nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka konfirmuar për RTK-në se personi i arrestuar së fundmi në Serbi, nuk figuron në asnjë nga listat zyrtare të veteranëve, dhe nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka vepruar gjatë luftës.
Duke demantuar lajmin, Syla ka theksuar se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të njohura të UÇK-së.
“Nuk figuron në asnjë nga listat, por as nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka qenë në luftë”, ka thënë ai.
Mediat serbe dje kanë raportuar për arrestimin e një ish-ushtari të UÇK-së në Serbi. Sipas këtyre mediave, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, L.H., është arrestuar të martën në qytetin Svilajnac të Serbisë.
Sipas raportimeve, 59-vjeçarit nga Peja i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës në Serbi, nën dyshimet për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte” të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ai u arrestua për shkak të dyshimeve se ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e Kosovës”, kanë raportuar mediat serbe.