Osmani pas kthimit nga Washingtoni: SHBA-ja edhe më e vendosur, në dialog s’do të flitet për kufijtë


load
Gazeta Express
22 Tetor 2019 15:10

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehet optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Vetëvendosjen do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ajo, po ashtu, flet për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, për cilën thotë se nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani, ku qëndron aktualisht procesi i bisedimeve midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm qeverisës?

Vjosa Osmani: Siç e dini, të dy partitë kanë shprehur vullnet të mirë që të negociojnë për një koalicion qeverisës. Tani ne përkundër faktit që e presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për të arritur një marrëveshje finale, natyrisht që puna apo kontaktet ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk janë ndërprerë në asnjë moment. Përveç takimeve formale kemi edhe kontaktet joformale pothuajse në baza ditore, kurse takimet ndërmjet grupeve punuese të cilat po tentojnë harmonizimin e programit po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër, pra të mërkurën, ku do të diskutohet edhe më tej për fuzionimin e ministrive, për mënyrën se si mund të funksionojnë ato, por edhe për disa çështje të tjera programore që do të jenë sfidat e para me të cilat do të ballafaqohen të dy partitë.

Një nga temat e radhës, për të cilën duhet të kemi një harmonizim 100 për qind është fusha e politikës së jashtme dhe besoj që pas këtij takimi të mërkurën, ne do të dakordohemi me Vetëvendosjen për një takim të radhës ku edhe do të diskutojmë, siç e thash, për këtë fushë ku kryesisht fokusi do të jetë te dialogu Kosovë-Serbi.

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës

Por, kryesisht këto ditë po flasim për ekonominë për çështjet sociale, pra ka tema të shumta për të cilat është më rendësi ta gjejmë pajtimin tani në këtë fazë që po i presim rezultatet finale, në mënyrë që pastaj mos të humbim shumë kohë pas certifikimit të rezultateve dhe të arrijmë një marrëveshje politike lidhur me bashkëqeverisjen, gjithnjë duke marrë parasysh këtë vullnet të mirë që e kanë treguar të dyja partitë.

Radio Evropa e Lirë: A ka dallime të mëdha mes dy partive që mund të pengojnë tutje arritjen e një marrëveshjeje?

Vjosa Osmani: Nuk e besoj. Dallime natyrisht që ka sepse po flasim për dy parti të ndryshme që jo vetëm që kanë ideologji të ndryshme politike, por edhe programet tona dallojnë në disa fusha, sidomos te fusha e ekonomisë, te çështjet sociale. Deri diku kemi dallim edhe te politika e jashtme, mirëpo këto çështje patjetër që ne duhet t’i harmonizojmë.

Tani unë besoj se është në interes të Kosovës që të formojmë një qeveri të ndryshimit të madh, një qeveri e cila do t’i japë fokus luftës së krimit dhe korrupsionit dhe të merremi me nevojat më imediate të qytetarëve tanë duke u fokusuar në investime shumë më të mëdha në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë dhe mbi të gjitha të punësimit, e sidomos te punësimi i të rinjve.

Kjo nuk do të thotë që të lihet anash edhe politika e jashtme apo procesi i dialogut me Serbinë, por unë jam shumë optimiste se të gjitha këto, madje brenda një afati të shkurtër, do të arrijmë pajtim dhe do të kemi një qeveri në një afat më të shkurtër sesa që ka ndodhur në të kaluarën sepse për dallim nga e kaluara, kur sidomos kjo qeveria e fundit, ku kryesisht diskutimet në mes të partive kanë qenë pazare politike, fokusi ynë tani është te programi qeverisës në mënyrë që të kemi një qeveri që vërtetë ndryshon jetën e qytetarëve për të mirë. Prandaj edhe siç e thash, besoj që …natyrisht dallimet ekzistojnë, por nuk besoj që janë aq të mëdha sa do të mund ta pengoni një koalicion të ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Ku janë këto dallime të mëdha që ju i konsideroni?

Vjosa Osmani: E përmenda, janë kryesisht në program, janë në fushën e ekonomisë janë në deri diku te çështjet sociale dhe ka dallime edhe te mënyra se si ne e shohim politikën e jashtme. Megjithatë, ende nuk kemi hyrë në detaje për të parë se sa ka fleksibilitet edhe nga pala tjetër, për të gjetur zgjidhje të cilat funksionojnë dhe të cilat janë më të mira dhe më në interes të qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë: Pra, siç thoni ju, parimet kryesore mbi të cilat do të mbështetet marrëveshja nuk kanë të bëjnë me pozitat udhëheqëse, por me programin?

Vjosa Osmani: Dhe nuk do të duhet të lidheshim shumë me pozitat udhëheqëse në qoftë se qëllimi ynë është vërtetë të kemi një qeveri të ndryshimit dhe një qeveri e cila më në fund e kthen investimin te kapitali njerëzor apo te njerëzit tanë, që janë potenciali më i madh i shtetit tonë. Prandaj edhe natyrisht që për pozitat do të vijë koha që do të diskutohen edhe ato dhe secila parti i ka prioritetet e veta, mirëpo assesi unë nuk përkrahi gjuhën kushtëzuese lidhur me pozitat të cilat vetëm mund të pengojnë apo mund të dëmtojnë një raport mirëbesimi, i cili tashmë është në ndërtim e sipër në mes të dy partive tona.

Osmani e pavendosur për pozitën e saj në koalicionin e ardhshëm qeverisës

Radio Evropa e Lirë: Gjatë fushatës, Vetëvendosje disa herë e kishte përmendur mundësinë që ju të jeni në pozitën e kryetares së Kuvendit. E preferoni këtë pozitë apo një post ministror në Qeveri?

Vjosa Osmani: Po, tani Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur shumë pozita jo vetëm këtë në raport me mua, mirëpo besoj që e kemi sqaruar përfundimisht që ky është vendim që më takon mua dhe LDK-së si parti e cila më ka propozuar dhe më ka përkrahur unanimisht, por besoj që duhet ta shikojmë këtë proces përtej individualizimit dhe përtej asaj se kush ku është.

Unë jam e bindur që do të mund ta ndihmoj këtë qeveri pavarësisht se ku do të jem në mënyrë që të jemi të suksesshëm, në mënyrë që ta dëshmojmë para qytetarëve që ne si LDK kemi çfarë të ofrojmë dhe t’i kontribuojmë këtij ndryshimi të madh, se ku do të jetë Vjosa është çështje që do të diskutohet pak më vonë dhe besoj se nuk është çështje prioritare.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë ju e keni në mendje se ku mund të jepni kontributin tuaj më të madh?

Vjosa Osmani: Unë e kam në mendje, por nuk e kam një vendim përfundimtar sepse është çështje që duhet ta mendoj edhe pak.

Radio Evropa e Lirë: Apo mund të ndryshojë ky mendimi që ju keni aktualisht?

Vjosa Osmani: Siç e thash janë disa opsione, mirëpo nuk ka ndonjë vendim final sepse për mua është tejet me rendësi ta shoh në fillim nëse po arrijmë pajtim për programet tona. Nëse po arrijmë pajtim se ku dëshirojmë ta shohim Kosovën pas katër vjetësh të këtij mandati tonë të përbashkët. Nëse do të arrijmë pajtim aty, pastaj unë do ta shoh se cili është vendi ku mund ta ndihmoj një program të tillë që të realizohet më së lehti dhe më së miri. Pra, kudo që jam, qëllimi im do të jetë që premtimet që i kemi dhënë para qytetarëve, që temat që janë në interes nacional, të punoj që ato të realizohen. Kjo është besoj shumë më e rëndësishme sesa pozita specifike.

Serbia nuk mund të përfitojë nga Kosova, por nga BE-ja

​Radio Evropa e Lirë: Sapo jeni kthyer nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duket se qeverinë e ardhshme e pret mbase faza finale e bisedimeve me Serbinë. A morët ndonjë mesazh gjatë kësaj vizite rreth vazhdimit të dialogut?

Vjosa Osmani: Natyrisht që jo vetëm gjatë kësaj vizite, por është deklarim publik i Shteteve të Bashkuara dhe i partnerëve tanë evropianë, që ata presin që qeveria e ardhshme shumë seriozisht t’i qaset procesit të dialogut dhe kjo të bëhet në një periudhë sa më të shpejt.

Natyrisht që është tejet me rëndësi për ne si njerëz që përfaqësojmë interesat e qytetarëve, që të sigurohemi që edhe ta japim maksimumin që Kosova të jetë palë konstruktive, palë që përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë të nxjerrim një marrëveshje kualitative e cila i mbron këto interesa, i mbron premisat kryesore të shtetësisë sonë, nuk lejon assesi që në tavolinë të hapen tema siç është tema e kufijve apo tema e sovranitetit shtetëror, tema e rregullimit të brendshëm. Dhe, për një gjë të tillë ne natyrisht që të kemi një pajtim brenda koalicionit qeverisës, të shkojmë, siç e thash me një program 100 për qind të harmonizuar dhe pastaj të arrijmë një pajtim me shumicën në Parlament sepse është tejet me rëndësi që edhe opozita të jetë e përfshirë në këtë proces jetik për Kosovën.

Tani, Shtetet e Bashkuara janë vendi kyç që e kanë ndihmuar Kosovën që të ketë sukses në periudha të ndryshme të historisë së saj dhe secili prej nesh duhet ta kuptojmë që asnjë marrëveshje e mirë për Kosovën nuk do të mund të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe natyrisht edhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç është Gjermania. Prandaj, për mua dhe për LDK-në është tejet me rëndësi që qëndrimet tona të harmonizohen me këto shtete përkrahëse, këto lidhje apo këto miqësi siç i quajmë – mirëpo mbi të gjitha janë marrëdhënie bilaterale – për ne janë ekzistenciale si një shtet që akoma ballafaqohet me probleme tejet të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Prandaj, do të jetë detyrë tejet e rëndësishme që të rindërtojë urat, që fatkeqësisht janë dëmtuar gjatë qeverisjes së kaluar, që të rikrijojë një partneritet mirëbesimi me këto shtete dhe të harmonizojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Për ne është esenciale që të kemi aleatë në këtë proces sepse nuk mund të kemi sukses pa aleatë. Ne mund t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit këtu në Kosovë, mirëpo përfundimisht marrëveshja që do të arrihet në Bruksel duhet ta ketë edhe bekimin e miqve tanë shpëtimtarë. Prandaj edhe këto kontakte janë tejet me rëndësi që të informohemi se cilat janë pak a shumë idetë që i kanë Shtetet e Bashkuara lidhur me atë se si duhet të vazhdojë dialogu dhe ne tashmë edhe bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka kohë që i diskutojmë – edhe pse vetëm në terma kështu më të përgjithshëm – këto çështje dhe jam e bindur që të do të arrijmë një marrëveshje.

Tani, me rëndësi është që ne ta japim tërë përkushtimin tonë që dialogu të vazhdojë dhe ta dëshmojmë edhe njëherë para bashkësisë ndërkombëtare që Kosova gjithnjë ka qenë dhe mbetet pala që nuk e kushtëzon dialogun për dallim nga Serbia që jo vetëm që e kushtëzon, por edhe diku mbi 90 për qind të marrëveshjeve të nënshkruara nuk i zbaton në praktikë, duke treguar kështu që mbetet palë që e destabilizon rajonin dhe nuk e mban fjalën sa i përket fqinjësisë së mirë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, parimet e dialogut me Serbinë dhe përfaqësimi i Kosovës në negociata a do të jetë pjesë e marrëveshjes qeverisëse?

Vjosa Osmani: Unë besoj që këtu do ta kemi mjaft të lehtë që ta arrijmë një marrëveshje me Vetëvendosjen dhe jam shumë e lumtur që tani edhe shtetet që na përkrahin janë në pajtim të plotë që dhe natyrisht kurrë nuk ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara që tema e kufijve të jetë në tavolinë, por kësaj radhe është më e theksuar që kjo çështje assesi nuk do të kërkohet nga ana e Amerikës, nga ana e Gjermanisë jo se jo sepse edhe deri tani janë deklaruar shumë kundër ideve të tilla.

Pra, sa i përket parimeve themelore tashmë siç e dini dy vjet që kemi bashkëpunuar me Vetëvendosjen në parlament, kemi pasur një pajtim të plotë rreth asaj që cilat janë temat që assesi nuk mund të diskutohen në Bruksel. Çështja e dytë për të cilën kemi pasur pajtim dhe kemi akoma është që Kosova duhet të përfaqësohet nga ana e qeverisë në dialog. Kjo do të thotë që kryeministri i ardhshëm nuk mund të ikë nga obligimet që i ka për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces, siç ka ndodhur me zotin (Ramush) Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju zgjidhjen apo marrëveshjen finale, që mund të nënshkruajë Kosova që të jetë e pranueshme dhe për Serbinë dhe anasjelltas. Çfarë duhet të përmbajë kjo marrëveshje?

Vjosa Osmani: Po, tani detyra jonë themelore si përfaqësues të Kosovës do të jetë që të shohim se si marrëveshja të jetë e pranueshme për Kosovën. Pra, nuk është punë e jona të mendojmë se si të jetë ajo marrëveshje e pranueshme për Serbinë. Ajo është detyrë e Serbisë në radhë të parë. Unë mendoj që duhet ta rikthejmë dialogun në binarët e tij fillestarë sepse kur pat filluar në vitin 2010 (v.j. 2011) qëllimi ka qenë që marrëveshjet të jenë të tilla që prekin jetën e qytetarëve, për të mirë natyrisht, marrëveshje praktike që eliminojnë barriera, që integrojnë qytetarët, por mbi të gjitha që përfitimi i të dyja palëve do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.

Pra, kur ne sot pyetemi se çka është ajo që përfiton Serbia nga ky proces, natyrisht që ne nuk mund ta shikojmë Kosovën si një shportë me pemë nga e cila duhet Serbia të marrë diçka. Natyrisht që nuk është territori i Kosovës apo rregullimi i brendshëm i Kosovës diçka nga e cila Serbia duhet të marrë.

Ajo çka Serbia do të përfitojë është ajo çka ka qenë plani që nga fillimi, pra integrimi në Bashkimin Evropian dhe nuk ka përfitim më të madh për Serbinë, për një shtet që ka shkaktuar të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, që ka shkaktuar qindra mijëra viktima në ish-Jugosllavi, që ende s’ka kërkuar falje dhe vazhdon politikën e mohimit të këtyre krimeve sesa të ecë drejt integrimit në Bashkimin Evropian edhe pse akoma e shkelë parimin themelor të Bashkimit Evropian që është fqinjësia e mirë.

Prandaj, edhe përgjigja jonë asnjëherë nuk duhet të jetë se çka përfiton Serbia prej Kosovës. Serbia mund të përfitojë diçka nga Bashkimi Evropian, por jo të marrë diçka nga Kosova që e shndërron atë në shtet komplet jofunksional ose në një Bosnje të dytë, e cila sot po e ka ulësen në Kombet e Bashkuara, por është komplet jofunksionale dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare e shohin si një model që nuk do të duhej të ndiqej kudo në botë, e lëre më në rajonin tonë.

Te fundit


Kthehu lart