Opozita kërkon secilën votë për ta çuar Haradinajn në shtëpi


Merita Miftari
19 Maj 2019 13:30

Secili deputet, pa e ndarë gjininë dhe etninë, që e përkrah mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, derën e ka çelë, thotë deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, kur pyetet se a do t’i pranojnë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”. Beqiri thotë se kur qeveria arrin të formohet me votat e deputetëve serbë, pse duhet që ato të jenë pengesë për t’u rrëzuar.

Që nga formimi i qeverisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, partitë opozitare kanë folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Mirëpo, në një konferencë për medie, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditë së djeshme u duk më serioz se kurrë për ta rrëzuar kryeministrin Haradinajn nga pushteti. Ai e përmendi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, ide kjo që po përkrahet nga partia Vetëvendosje.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, në një bisedë për Gazetën Express, nuk i përjashton votat e deputetëve të Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë.

“Nuk po flas as për etni as për gjini të deputetëve, sekush që ka gatishmërinë me e përkrah mocionin, derën e ka të hapur. Pa nda etni, nëse një qeveri mund të formohet me votat e çdokujt që është deputet, atëherë pse duhet me qenë pengesë opsioni për rrëzimin e qeverisë nga kushdo qoftë”, thotë Beqiri për Gazetën Express.

I pyetur nëse janë në bisedime me deputetët e komuniteteve pakicë, ai tha se nuk i kanë kontaktuar ende.

“Nuk kemi pas kontakt me përfaqësues të komuniteteve joshqiptare, por në momentin që përgatitemi, pastaj do ta lëmë mundësinë e hapur”, tha Beqiri.

Shtoi se sistemi është i tillë që deputetët joshqiptarë janë të pashmangshëm në këso procesesh.

Ismet Beqiri, deputet i LDK-së

Beqiri nuk e përmendi afatin kohor se kur do të bëhet kërkesa për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rrëzimin e qeverisë, por tha se në vijim do të kontaktohen edhe deputetë nga pozita. Por fillimisht do të punohet që të bëhet koordinimi mes partive opozitare, theksoi Beqiri.

“Nuk mund ta them afatin kohor kur do të bëhet, por fillimisht do të punojmë që koordinimi me u bo mes partive opozitare”, tha ai.

Përsëriti që LDK-ja ka pasur gatishmëri edhe në të kaluarën për këtë iniciativë. Madje tha se do të intensifikohen kontaktet edhe me deputetët e PSD-së.

“LDK-ja ka pas dhe e ka gatishmërinë e plotë që sa më parë që eshtë e mundur ta finalizojë mundësinë që të mblidhen nënshkrimet e të gjitha partive opozitare… Me PSD-në do të shihet mundësia me u intensifiku kontakti”, shtoi ai.

I pyetur nëse deri më tani kanë ndonjë deputet të pozitës nga koalicioni PAN që do të votonte për ta rrëzuar qeverinë, Beqiri tha se kanë bindjen që gradualisht po pjeket mendimi që është koha që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje nacionale.

Edhe Rexhep Selimi gjatë ditës së djedhme tha se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi. Prandaj, siç u shpreh ai, fokusi duhet të jetë edhe te votat e tjera brenda koalicionit.

Ndërkohë, Lista Serbe iu ka ofruar bashkëpunim partive opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Kjo mbështetje ka ardhur pas vendimit të ekzekutivit për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Partitë opozitare, edhe pse kërkojnë zgjedhje të reja, kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe, por tani ky opsion nuk po përjashtohet nga LDK-ja.

Për t’u rrëzuar Qeveria duhet të sigurohen të paktën 61 vota.

Aktualisht, as Qeveria s’e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe është larguar nga koalicioni. Mirëpo, Ekzekutivi po funksionon me 12 votat e partisë së Shpend Ahmetit, i cili i ka përkrahur buxhetin e dialogun./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart