Opozita e kërkon, dorëheqja e Albulena Haxhiut mbetet në ‘moralin’ dhe ‘etikën’ e saj - Gazeta Express
string(80) "opozita-e-kerkon-doreheqja-e-albulena-haxhiut-mbetet-ne-moralin-dhe-etiken-e-saj"

Lajme

Gazeta Express

28/03/2023 18:03

Opozita e kërkon, dorëheqja e Albulena Haxhiut mbetet në ‘moralin’ dhe ‘etikën’ e saj

Lajme

Gazeta Express

28/03/2023 18:03

Opozita ia kërkon dorëheqjen ministres Albulena Haxhiu për shkeljen e Kushtetutës. Juristi Ehat Miftaraj thotë se pasoja juridike për shkelje të Kushtetutës ka vetëm për Presidentin, ndërkaq për zyrtarë të tjerë, në këtë rast të ministres së Drejtësisë, dorëheqja mund të jetë vetëm akt moral. Vetë ministrja Haxhiu ka treguar se nuk e ka ndërmend të largohet.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kushtetuta është shkelur edhe njëherë nga një ministre e Qeverisë së Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje në ligjin për Këshillin Prokurorial, të sponsorizuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Dhe, pas kësaj, nisen thirrjet, kryesisht nga opozita, për dorëheqjen e ministres Haxhiu. Kundërpërgjigjja e saj ishte larg prej dorëzimit të detyrës. Ajo akuzoi Gjykatën Kushtetuese se e vuri interesin individual të ndonjë anëtari të KPK-së mbi interesin e përgjithshëm.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ministrja po e sulmon Gjykatën, në vend se të japë dorëheqje pas shkeljes së Kushtetutës.

“Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”, ka shkruar ai në Facebook.

Por, Haxhiu thotë se nuk është asgjë e re kërkesa nga opozita që ajo të japë dorëheqje, pasi, sipas saj, kanë parë “vullnetin” dhe “seriozitetin” për të shtyrë përpara reformat në drejtësi.

“Që kur kam marrë detyrën, unë jam ballafaquar me kërkesat e opozitës për dorëheqje. Sepse konsideroj që kur kanë parë vullnetin tonë, kur kanë parë seriozitetin tonë për të vazhduar me reformat në drejtësi, për t’i jetësuar ato, kanë filluar me kërkesat për dorëheqje sepse po i cenojmë interesat e tyre, të njerëzve që janë të lidhur me ta”, ka thënë ministrja në një konferencë për media pas shpalljes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Një vit më parë, në prill të 2022-s, Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Edhe ministrja Nagavci ka vlerësuar se ka vepruar drejtë, duke konsideruar se vendimi i Kushtetuteses përbënte një vlerësim të kufizuar në atë rast. Edhe asaj i ishte kërkuar dorëheqja, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.

Megjithatë, sipas juristit Ehat Miftaraj, dorëheqja e zyrtarëve të lartë që e shkelin Kushtetutën mbetet në moralin dhe etiken e tyre, pasi juridikisht nuk kanë ndonjë pasojë. Vetëm Presidenti/ja mund të shkarkohet, nëse s’jep dorëheqje, kur shkel Kushtetutën.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, mund të lindin pasoja juridike me karakter të ndërprerjes së mandatit apo shkarkimit nga pozita për shkeljen e dispozitave të Kushtetutës vetëm në rastin e Presidentit të Republikës, dhe atë vetëm në rastet kur gjykata kushtetuese konstaton se Presidenti/tja e Republikës kryen shkelje të rëndë të Kushtetutës”, ka thënë Miftaraj.

“E njëjta nuk vlen apo nuk ka pasoja juridike edhe në rastin kur Kushtetuta shkelet nga Kuvendi i Kosovës përmes miratimit të ligjeve kundërkushtetuese apo qeveria, ministrat me institucionet publike kur përmes miratimit të vendimeve apo politikave që cenojnë vlerat apo parimet kushtetuese.  Në këtë drejtim, në raste të tilla mbetet në moralin dhe etikën e zyrtarit të lartë publik për të dhënë dorëheqje morale nga funksioni”, shpjegon tutje ai. 

Çfarë ndodhi me ligjin për KPK?

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë përpjekjen e Qeverisë për ta reformuar sistemin e drejtësisë, ndër tjerash, duke ua ndërprerë mandatin prokurorëve.

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë, është shpallur i pavlefshëm të premten pasdite nga Gjykata Kushtetuese.

Disa nene të këtij ligji janë vlerësuar se janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas aktgjykimit, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.

Më saktë, ligji i kontestuar u vlerësua se bie ndesh me Kushtetutën e vendit fillimisht në çështjen e kompetencës që i jep Avokatit të Popullit për ta zgjedhur një nga anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.

Aktgjykimi sqaroi se as mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Ajo e ndërvarte vendimmarrjen e KPK-së me vullnetin politik të shumicës së deputetëve në Kuvend, pasi ata përcaktohej se do t’i zgjidhnin me shumicë të thjeshtë anëtarët jo-prokurorë të këtij institucioni.

“Gjykata thekson që një zgjidhje e tillë, nuk është as në përputhje me Opinionet e Komisionit të Venecias, as me pavarësinë kushtetuese të garantuar për Këshillin sipas paragrafit 1 të nenit 110 të Kushtetutës, as me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet demokratik. Për pasojë, Aktgjykimi sqaron që mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në papërputhshmëri me Kushtetutën u shpall edhe mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së KPK-së, sipas ligjit.

Sipas ligjit, përcaktohej që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.

Në këtë pikë, Kushtetuesja përmend opinionin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “përfundimi i parakohshëm i mandateve duhet të jetë gjithmonë i lidhur me një shkelje të identifikueshme ose dështim në kryerjen e detyrës të anëtarit përkatës dhe të ndjek bazën, përfshirë procedurën kushtetuese/ligjore për shkarkim apo përfundim të mandatit sipas së cilës janë fituar” sepse në të kundërtën, “ndërprerja e mandateve të institucioneve kushtetuese, do të mund të varej në vazhdimësi nga preferencat e pushtetit ekzekutiv dhe/ose legjislativ”.

PDK-ja dhe LDK-ja që e kishin çuar këtë ligj në Kushtetuese e konsideruan vendimin si triumf ndaj kapjes së drejtësisë. /Express/