Operacioni sekret “Gjarpri”… si ra në kurthin e Sigurimit të Shtetit beu i Saukut


Gazeta Express
15 Prill 2019 11:35

 AFRIM IMAJ/ “Deri këtu nuk e kisha menduar veten”. Me fjalët e fundit të shqiptuara përpara skuadrës së pushkatimit mesnatën e 20 korrikut ’89, Nazif Tuga, ndryshe Beu i Saukut, përmbyllte një histori sa dramatike aq dhe të mistershme.

Më në fund, ky ishte fundi i metamorfozës që përshkroi jetën e tij ndërmjet skajeve, kur bënte të besuarin e Sigurimit dhe objektin e goditjes së tij. I futur në këtë lojë të rrezikshme, pa e menduar veten kurrë viktimë të saj, Nazif Tuga iku nga kjo botë pa pasur mundësi t’u shpjegojë të tjerëve çfarë kishte ndodhur vërtet me të. Brenga që mori me vete teksa jepte shpirt në gjunjët e një kodre në periferi të Tiranës, nuk lidhej vetëm me arsyen e fshehtë të atij akti makabër, por më së shumti me jehonën e gënjeshtrës që do bënte martirizimi i tij, shkruan Panorama.

Nazif Tuga ishte burrë i njohur e me miq të shumtë, e kjo ikje e turpshme do të baltoste jo vetëm atë, por edhe fëmijët e familjarët për tërë jetën. Se vërtet mund të kishte pasur gabime e të meta në punë, madje dhe diferenca në llogari të magazinës, sikundër i pohoi edhe gjatë procesit, por asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja për sabotim e tradhti, për të cilat martirizohej pabesisht. Kurthi që zbulonte në përpëlitjet e fundit kishte kohë që ishte ngritur nga zyrtarët e Sigurimit, të cilët me eliminimin fizik të tij, nuk mbyllnin thjesht një dosje, por një histori shumë komplekse e me shumë pandehma.

MISIONI I PAMUNDUR, QË NUK U MËSUA KURRË

Në arkivin e Sigurimit të Shtetit rezultojnë dy dosje me emrin e Nazif Tugës. Njëra e çelur në fillimin e viteve ’80 dhe tjetra e aktivizuar fill pas mbylljes së të parës. Në dosjen e parë, Beu i Saukut ka statusin e bashkëpunëtorit të Sigurimit, kategoria rezident, dhe në tjetrën ka statusin e të përndjekurit nga Shërbimi i Fshehtë në përpunim aktiv 2A, që parakuptonte vëzhgimin e pandërprerë ndaj personave në pozita thellësisht armiqësore. Rrethanat dhe motivi pse është rekrutuar magazinieri i Mulletit në radhët e informatorëve të Sigurimit nuk janë zbardhur asnjëherë, ndërkohë që dihet pak, shumë pak, pse është vënë në vëzhgim të këtij të fundit.

Dokumentet për aktivitetin e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit, të paktën për aq sa janë administruar, tregojnë se është rekrutuar kryesisht për të siguruar të dhëna rreth aktivitetit të dyshimtë të njërit prej zyrtarëve të rëndësishëm të kohës, që më sa duket kishte humbur besimin e liderëve politikë të regjimit. I njohur rishtas me këtë objektiv sekret, Nazif Tuga është befasuar dhe është shprehur pa mëdyshje: Këtë nuk mund ta bëj kurrë, ca më tepër që personin në fjalë e kam mik!

Të gjendur përpara kësaj të papriture, ata që kishin besuar se me duart e Nazifit do të kapnin një peshk të madh, për të fshehur zhgënjimin, u detyruan të ndërrojnë vijën e sjelljes, duke shprehur “mirëkuptimin” për zgjedhjen e tij. Sidoqoftë, ndarja “paqësore” me rezidentin që kishte refuzuar ofertën e misionit special, nuk mund t’i mbyllte këtu dhe kaq thjesht raportet me të. Fakti që me të kishin ekspozuar emrin e një të dyshuari në sferat e larta të hierarkisë shtetërore, linte hapur një telash jo të vogël, që parashikonte rrezik të madh. Pavarësisht shënimit fundor të operativit të Sigurimit në dokumentin e dosjes “çregjistrohet si rezident, se nuk pranoi të bashkëpunojë”, në emrin e Tugës, mjeshtrit e Policisë së Fshehtë hapën një tjetër dosje, ku protagonisti i saj rezulton kontingjent përpunimi aktiv 2A.

KURTHI I SHPAGIMIT MIZOR

Kur Nazif Tuga kishte shpëtuar nga një marrëdhënie e vështirë, që në çfarëdo rrethane cenonte sadopak karakterin e tij, ishte futur papritur në një situatë akoma më të rrezik shme. I rikthyer rishtas në qetësinë e zakonshme, nuk e kuptoi asnjëherë se çdo lëvizje e tij ndiqej hap pas hapi nga një tabor hafijesh me emra të koduar gjithfarë llojesh “Lapsi”, “Besniku”, “Plepi”, “Manushaqja” etj.. Shpura e këtyre të fundit ishte vënë në lëvizje për të sjellë në dosjen e rezidentit që refuzoi misionin prova bindëse, se rasti i tij ishte pjesë e kategorisë së personave në pozita thellësisht armiqësore.

Në morinë e pafundme të raporteve nga terreni të agjentëve të fshehtë përshkruhen me detaje takimet e përditshme të Nazif Tugës, bisedat me njerëzit në punë, në kafe, në shtëpi, në gosti, reagimet e tij për tufëzimin e të imtave në fshat, për temat e plenumeve të Partisë etj., të cilat në pjesën më të madhe rezultojnë pa interes operativ, siç konkludojnë zyrtarët e lartë që ndjekin çështjen “Tuga”.

E vetmja e dhënë që i shtyn këta të fundit ta mbajnë hapur dosjen, është gjetja e njërit prej informatorëve për marrëdhëniet e dyshimta të Nazifit me magazinieren veterane të Kombinatit Tekstile “Stalin”, burri i së cilës kishte qenë i dënuar si agjent i UDB-së! Mirëpo, gjurmimet operative intensive rrëzuan çdo dyshim rreth kësaj hamendjeje për përfshirje në rrjet agjenturor.

Në fakt, përtej raporteve të punës si magazinier që operonte rregullisht me depon e Kombinatit, ku çonte leshin e të imtave që grumbullonte në zonë, Beu i Saukut nuk kishte asnjë marrëdhënie tjetër me gruan e ish-agjentit. Konfirmimi zyrtar i kësaj të dhëne e rrëzonte përfundimisht pritshmërinë e drejtuesve të operacionit sekret për penalizimin e Nazif Tugës si agjent i shërbimeve të huaja. Që këtej, çështja “Tuga” do të merrte një rrjedhë tjetër, që fillimisht do të niste me një dosje tjetër.

TË PATHËNAT E OPERACIONIT SEKRET “GJARPRI”

Atëherë kur Sigurimi konkludoi se Tuga nuk mund të penalizohej politikisht për raporte me shërbime të huaja, u gjet e udhës gjurmimi i tij për krim ekonomik. Dhe këtu Beu i Saukut nuk kishte si mund të shpëtonte. Aktiviteti 40- vjeçar si magazinier i Mulletit, patjetër që mund të ofronte të dhëna komprometuese, ca më tepër në rastin e tij, kur në pjesën më të madhe inventarët vjetore i mbyllte në mirëbesim shoqëror. Pikërisht, kjo qasje e re u bë shtylla kryesore e operacionit “Gjarpri”, që kryqëzoi përfundimisht Tugën. Ishte koha kur në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë ishte zbuluar një grup i bujshëm shpërdoruesish.

Fakti që Beun e Saukut e lidhte puna me një pjesë të tyre, për regjisorët e operacionit sekret vlerësohej si hallka bazë e gjetjeve komprometuese. Aty u dha dhe goditja e parë me mësymjen e informatorëve të fshehtë dhe përgjimeve sekrete. Këtë radhë, hienat “Pazari”, “Stilografi”, “Korabi” “Deti”, “Besniku” e të tjerë, sollën boll ushqim për “Gjarprin” që tashmë ishte ekspozuar haptas për t’u kafshuar. Njëherazi, me raportet e tyre, të dhënat e siguruara nga një ekip prej 40 vetash, që hulumtoi nëpër inventarët e 40 viteve të magazinës së Mulletit, ishin të bollshme për të provuar akuzën e sabotimit dhe të krimit ekonomik. Sakaq, rezultonin të mjaftueshme për ta çuar atë para skuadrës së pushkatimit. E gjitha kjo në harkun e një viti, nga korriku i 1988-S në korrikun e ’89-s, kur Nazif Tuga ikte nga kjo jetë pa e kuptuar as vetë arsyen e vërtetë të martirizimit barbar.

RAPORTI I PËRGJIMIT TË SHTËPISË SË NAZIF TUGËS

“Asgjë me interes operativ”. Me këtë shprehje standarde janë arkivuar një mori raportesh sekrete nga përgjimet brenda mureve të shtëpisë së Nazif Tugës. E megjithatë, eprorët e operacionit “Gjarpri” kanë ngulmuar për ta mbajtur atë të pandërprerë deri ditën e ekzekutimit, madje dhe një javë më vonë. Ajo çfarë është përftuar nga ky përgjim i fshehtë, është vërtetë diçka vulgare. Mjafton të citojmë një pjesë të bisedës midis së shoqes së Nazifit dhe së bijës, një ditë pas arrestimit të tij. E rikthyer në shtëpi pas vizitës te fallxhorja e lagjes, ku ka parë filxhanin e kafes, vajza mundohet të qetësojë të ëmën se gjërat do sqarohen shpejt dhe i ati do kthehej në shtëpi.

“Të del këtu burgu për ca gjëra, më tha,shpjegon e bija,- e ka vënë përpara një që e ka inat, po rrugën e ka të hapur, do dalë me kokën lart”. Gati dhjetë faqe janë mbushur kështu me ato që e bija e Tugës ka sjellë nga fallxhorja, që gjithsesi nuk ngjallin ndonjë shpresë të madhe te e shoqja. Sakaq, shefi i operacionit “Gjarpri”, njëherazi me përgjuesin e instaluar në shtëpi, ka mundur të fusë aty edhe një nga bashkëpunëtorët e fshehtë, raportet e të cilit janë po aq të rëndomta sa dhe ato të regjistruesit. “Qyqja, e nis bisedën njëra nga të besuarat e sigurimit që i qan hallin gruas së Nazifit, si ndodhi kështu, ai veç mirë ka bërë për fukaranë”.

“Ja që ndodhi, e kishim për ta hequr dhe këtë, ia kthen ajo…” Pas një dialogu të tillë, mysafirja nuk harron t’i kujtojë të zonjës së shtëpisë “të ketë kujdes, se mos Nazifi ka fshehur gjëkafshë në ndonjë rrëzë e vijnë dhe ia gjejnë”. Pastaj, gruaja që i do të mirën, del direkt tek objektivi i urdhërdhënësit. “Se yt shoq ka një mik aty lart, i thoni atij dhe e ndihmon. I thoni atij mo, se ia harrova emrin…” Ka hyrë e ka dalë disa herë kjo grua- hienë në banesën e Nazifit, por në asnjë rast nuk ka mundur të mësojë emrin e atij që i kërkonte shefi i saj. As përgjimet nuk kanë provuar gjë për çka pretendonte Policia Sekrete. Në të gjitha rastet raportet janë arkivuar me të njëjtin togfjalësh: asgjë me interes operativ. E ndërsa dështonte këtu penalizimi i Nazif Tugës, diku gjetkë bëhej realitet, por me mekanizma të tjerë…/Burimi: Panorama

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart