Kthehu lart

Ushtria nuk i mbulon dështimet

Ushtria nuk i mbulon dështimet Autori: ?Imer Mushkolaj GazetaExpress

Nisja e procesit të transformimit të FSK’së nuk i mbulon dështimet lapidare të kësaj qeverie dhe të tjerave para saj. Vendi vazhdon të mbetet i izoluar, i korruptuar e pa zhvillim ekonomik. Është turp për këdo që përpiqet të marrë merita në këtë situatë fatkeqe për qytetarët

Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Interpol dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishin tri prioritete të qeverisë, për të cilat ishte thënë se do të kryhen sivjet.

Pasi dështoi Interpoli dhe liberalizimi i vizave, gjithë vëmendja është kthyer kah transformimi i FSK’së, si një përpjekje e fundit për t’i mbuluar dështimet e njëpasnjëshme në qeverisjen e brendshme e në politikën e jashtme.

Ramush Haradinaj kishte premtuar se kosovarët do të lëviznin lirshëm në Schengen tre muaj pasi ta marrë pushtetin. Kanë kaluar 15 muaj e me gjasë mund të kalojnë edhe aq, derisa kjo të ndodh.

Po ashtu, qeveritarët ishin të bindur se vendi do të bëhej pjesë e Interpolit. Por, debakli në Dubai ishte i turpshëm, krahasuar me entuziazmin e shprehur publikisht.

Ndërkohë 14 dhjetori, dita e caktuar për kalimin në Kuvend të projektligjeve që nisin procesin e transformimit të FSK’së po paraqitet si datë e rëndësishme, madje edhe historike. Një ngjarje që synon t’i mbulojë dështimet e njëpasnjëshme - jo vetëm të kësaj qeverie.

Kosova thuajse ka vendnumëruar në shumë fusha të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Aspak përparim në zhvillimin ekonomik e zbutjen e papunësisë, gjendje e njëjtë në arsim, në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar. Hapa mbrapa në politikën e jashtme. Shëndetësia është një ndër sektorët e rrallë në të cilin shihen disa ndryshime të prekshme. Në vend se të rritet zhvillimi ekonomik, janë rritur skemat pensionale. Qindra milionë derdhen në llogari të grupeve të ndryshme të shoqërisë, që në një periudhë të caktuar, siç thuhet, kanë kontribuar për vendin. Janë rritur edhe pagat e privilegjet për zyrtarët, sikurse dhe numri i tyre në institucione.

* * *

Në kohën kur Beogradi po e vazhdon ofensivën kundër Kosovës, në kohën kur qytetarët e Kosovës nuk po përfitojnë asgjë nga vullneti i treguar për dialog dhe nuk po shohin t’iu përmirësohet jeta, për ta transformimi i FSK’së vjen si një dritë në fund të tunelit. Në fund të një tuneli të gjatë, në të cilin i kanë futur politikanët e papërgjegjshëm e të korruptuar.

Ushtria është elementi ndër më të rëndësishmit e shtetësisë dhe nuk duhet të ketë asnjë rezervë tek vendimmarrësit për votën në Kuvend. Dilemat duhet të hiqen sidomos pas mbështetjes së qartë amerikane.

Por, ata që mburren se po e krijojnë ushtrinë nuk duhet të harrojnë se kanë dështuar në të gjitha fushat tjera. Nuk duhet të harrojnë se kanë dështuar t’i liberalizojnë vizat, të sjellin njohje të reja për vendin, të zhvillojnë ekonominë, të luftojnë kurrupsionin, të krijojnë kushte për sistem të pavarur të drejtësisë, të sigurojnë shëndetësi e arsim cilësor. Nuk duhet të harrojnë se kanë dështuar t’i përmbushin premtimet e dhëna qytetarëve dhe për këtë nuk marrin kurrfarë përgjegjësie. Kanë dështuar ta bëjnë Kosovën vend të të gjithëve, vend të sigurt, me integritet e sovranitet.

FSK është një tregim i suksesshëm, por nuk do të ishte i tillë pa ndihmën e aleatëve, në radhë të parë SHBA’së e NATO’s. Është turp për këdo që përpiqet të marrë merita për procesin e transformimit të kësaj trupe. Është turp për këdo që përpiqet t’i mbulojë dështimet lapidare me nisjen e këtij procesi të krijimit të ushtrisë.

Në vend se të mburren, ata do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të vetes, familjarëve të tyre e militantëve partiakë. Në vend se të mburren, ata do të duhej të krijonin kushte të barabarta për të gjithë qytetarët.

* * *

Qytetarët e Kosovës asnjëherë më parë nuk janë ndjerë më të frustruar e më të zhgënjyer se tash. Më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, shumica nga ta të ardhmen e shohin jashtë vendit. Jo për fajin e tyre, por për fajin e klasës së papërgjegjshme e të pangoput politike, pjesa më e madhe e së cilës nuk ka zgjedhur rrugë as mjete për të përfituar, për të zhvatur çka ka mundur e ku ka mundur.

Sot, në vend të çarjes së izolimit ua ofrojnë ushtrinë, në vend të zhvillimit ekonomik ua ofrojnë ushtrinë, në vend të shëndetësisë e arsimit më të mirë ua ofrojnë ushtrinë. Ushtrinë ua ofrojnë edhe në vend të shtetit të çkapur, drejtësisë së çpolitizuar, sistemit të pakorruptuar e varfërisë së zbutur.

Ushtria është elementi ndër më të rëndësishmit e shtetit, por në rastin e Kosovës, procesi i krijimit të saj nis në një moment të vështirë. Për qytetarët vjen si një fije shprese se shteti po bëhet, e për politikanët si një fije shprese se dështimet e tyre do të harrohen të paktën për një kohë. Por jo, ushtria nuk i mbulon dot dështimet.

    Data: 07 Dhjetor 2018 10:50
    Autori: ?Imer Mushkolaj

    Të tjera