Kthehu lart

Udhëheqësit të tregojnë për rinisjen e mësimit në shkolla, jo liberalizimin e vizave

Udhëheqësit të tregojnë për rinisjen e mësimit në shkolla, jo liberalizimin e vizave Autori: Muhamet Hamiti GazetaExpress

Shoqëria jonë duhet t’u shtrojë këtë pyetje udhëheqësve të Kosovës, Presidentit e Kryeministrit: kur do të rinisë mësimi në shkollat e Kosovës? Poashtu t’u bëjë kërkesë të lënë deklaratat rituale për datat e pritshme, simbas tyre, për liberalizim të vizave nga BE-ja.

Vendimi për rinisjen e mësimit është në duar të Qeverisë e të sindikatave të Kosovës, domethënë e dy palëve kosovare që duhet të kenë një synim: rikthimin në binarë normalë të sistemit arsimor të Republikës sonë. Me vullnet, besim e dialog kjo zgjidhet.  Le të ballafaqohen realiteti i fuqisë ekonomike të Kosovës me propagandën paraelektorale të pushtetarëve. S’ka pse të bjerë askush në lojërat e partnerëve të koalicionit PAN, pjesë e të cilit është bërë SBASHK-u me vetëdije apo pa vetëdije.

Liberalizimi i vizave, tash që edhe BE-ja e thotë publikisht se Kosova i ka përmbushur kriteret - me gjasë veç njërit, luftimit të korrupcionit, që mbase e shohin fenomen endemik të qeverisjes në Kosovë - është në dorën e vendeve anëtare të BE-së, një pjesë e të cilave kanë frikë nga imigrimi i shtuar i kosovarëve shkaku i gjendjes së rëndë ekonomike e sociale në vendin tonë. Por, vendimi është politik. I tyre. Jo i udhëheqësve të Kosovës, që, ashtu si qytetarët e këtij e vendi, e presin dhe e duan këtë. Dhe e meritojnë jo më pak se vendet e tjera në rajon, duke përfshirë fqinjtë e Kosovës, që kanë vese shoqërore të krahasueshme me tonat.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, edhe në detyrën e mëhershme si kryeministër, tash e dhjetë vjet, periodikisht, jep data për liberalizim të vizave. Këtë e ka bërë në këto dy vjet edhe Ramush Haradinaj, që thoshte, në maj të vitit 2017, se liberalizimi do të bëhej tre muaj pas formimit të Qeverisë të udhëhequr prej tij.

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj po thonë sot se liberalizimi do të ndodhë në qershor të këtij viti.

Qytetarët e Kosovës që kanë mbamendje – atyre që u kujtohen premtimet për liberalizim të vizave para se procesi për liberalizim të kishte filluar fare – kanë arsye t’u besojnë Thaçit e Haradinajt për qershorin e liberalizimit po aq sa t’i besojnë dikujt që hedh fall duke shikuar filxhanin e kafesë së pirë mëngjesin e sotëm a ndonjë ditë tjetër.

Deri në qershor mund të presim që zyrtarët e BE-së t’u thonë udhëheqësve tanë e vartësve të tyre: ju kemi thënë sa e sa herë: ‘Mos jepni data për vizat’, se BE-ja flet në emër të vetin.

Shkurt e shqip: data për rinisjen e mësimit është në dorën e drejtuesve të Kosovës. Data për liberalizim të vizave jo.

    Data: 25 Janar 2019 13:54
    Autori: Muhamet Hamiti

    Të tjera